Eksperti i prindërimit, Steve Biddulph, ka theksuar rëndësinë që kanë tezet në jetën dhe zhvillimin e vajzave, sidomos gjatë periudhës së adoleshencës, kur këshillat nga nëna shpesh mund të hasin në kundërshtim.
Gjatë një interviste në podcastin “Parental As Anything” të ABC, psikologu dhe autori i librit “Raising Girls” i përshkroi tezet – ose edhe figura të tjera të besuara që luajnë rolin e tyre – si një “kolonë e shëndetit mendor” për vajzat.
Sipas tij, ato mund të ofrojnë mbështetje, udhëzim dhe këshilla të vlefshme, pa pasur të njëjtën ngarkesë emocionale që shpesh ekziston në marrëdhënien nënë–bijë.
Biddulph rekomandon që ky raport të ndërtohet herët, që në moshën 8-vjeçare, dhe të mbahet i gjallë përmes takimeve të rregullta apo aktiviteteve të përbashkëta.
Ai thekson se një tezë e afërt mund të krijojë një hapësirë të sigurt për vajzat, ku ato të ndihen të lira të flasin për marrëdhëniet, zgjedhjet e jetës dhe sfidat personale.
Kjo marrëdhënie, sipas ekspertit, jo vetëm që ndihmon në zhvillimin emocional të vajzave, por gjithashtu i mbron ato nga mbështetja e tepruar tek grupet e shokëve apo ndikimi negativ i mediave sociale.