Një protestë e madhe me temën “Serbi, a mund të dëgjohemi?” do të mbahet sonte në Novi Sad të Serbisë, ndërsa tubime mbështetëse janë planifikuar në disa qytete të vendit.
Tubimi në Novi Sad fillon në orën 19:00, ndërsa para fillimit të protestës, forca të forta policore tashmë po mbërrijnë në kampusin e Universitetit të Novi Sadit.
LEXO EDHE: Analiza e DW: Udhëheqja e Kishës Serbe në shërbim të regjimit të Vuçiçit
Arsyeja e protestës, të thirrur nga studentët në bllokadë, është, sipas tyre, shkelja e autonomisë së Universitetit dhe prania e policisë në ndërtesat e Fakultetit të Filozofisë dhe Fakultetit të Sportit dhe Edukimit Fizik.
Fakulteti i Filozofisë, nga i cili studentët u përjashtuan dhjetë ditë më parë, sipas mediave serbe është plot me policë, dhe anëtarët e Njësisë së Ndërhyrjes dhe të Xhandarmërisë mund të shihen përmes dritareve të hapura.
Tre ditë më parë, dhjetëra mijëra qytetarë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, morën pjesë në një marshim përkujtimor gjatë një proteste kundër qeverisë, të thirrur nga nxënësit e shkollave të mesme. Kjo në kuadër të një bllokade në ditën e parë të vitit shkollor.
Tubimi përfundoi në Sheshin e Republikës, në qendër të Beogradit, me vendosjen e kurorave dhe trëndafilave të bardhë për 16 viktimat e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, nëntorin e kaluar. Gjithashtu u mbajt heshtje 16-minutëshe në nderim të viktimave.
Arsyeja e kësaj proteste, që paralelisht u zhvillua në disa qytete serbe, ishte fakti se kanë kaluar dhjetë muaj nga shembja e strehës, një incident që çoi në protesta masive në Serbi dhe bllokada të institucioneve të arsimit të lartë. U bë thirrje për zgjedhje të parakohshme, për hetime transparente ndaj përgjegjësve për incidentin, si dhe për institucione e media të lira.
Protestuesit e mbledhur në Beograd u ndalën shkurtimisht në disa vende gjatë këtij marshimi. Para godinës së gazetës ditore Politika dhe të Radio Beogradit, u mbajt një fjalim i regjistruar ku thuhej se “media e lirë po vdes”.