Celebrities Film & Tv

Seriali komik ku luan presidenti ukrainas Zelensky tanimë një hit global!

Një gamë e rrjeteve globale kanë nisur të blejnë të drejtat e transmetimit të serialit komik “Shërbëtori i Popullit” në të cilin ka luajtur presidenti ukrainas. Ish-aktori dhe komediani Volodymyr Zelensky, asokohe ka luajtur rolin e Vasiliy Petrovich Goloborodko, rol i vitit 2015 i një mësuesi të shkollës së mesme, të shtyrë drejt presidencës pasi videoja e një studenti ku ai denonconte korrupsionin në Ukrainë u bë virale.

Kështu, Goloborodko nis të drejtojë vendin duke i shmangur përfitimet e të qenit lider dhe duke e mbajtur jetën e tij në ritmet e normales. Hit në Ukrainë, ku u shfaq për tre sezone radhazi, interesi për të ka arritur kulmin që kur Zelensky u bë fytyra e kombit teksa u reziston sulmeve ruse.

Partneri menaxhues i studios krijuese, Nicola Söderlund, ka zbuluar se shitjet janë rritur në mënyrë dramatike në ditët e fundit. Ai e ka cilësuar interesin për këtë serial si të jashtëzakonshëm.

Është një shfaqje mjaft e vjetër, por duke pasur parasysh rrethanat, është bërë shumë, shumë, shumë interesante për të gjithë.

Seriali pritet të transmetohet të dielën nga Channel 4 në Mbretërinë e Bashkuar. Sakaq, nuk do të mungojnë transmetimet nga rrjete të ndryshme televizive në Greqi, Rumani, Bullgari, Moldavi, Estoni, Francë apo Finlandë. Ndërkaq, theksojmë se ushtria ukrainase ka paralajmëruar se forcat pushtuese ruse po luftojnë për të rrethuar kryeqytetin, Kiev dhe qytetin e dytë të rrethuar të Harkivit, derisa diplomatët perëndimorë kërkojnë masa për të frenuar konfliktin dhe paralajmërojnë se civilët ka të ngjarë të përballen me sulme më intensive.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi në një video-mesazh të postuar se ai dhe zyrtarët e lartë mbeten në Kiev, duke shtuar:

Ne vazhdojmë të luftojmë. Do të mbrojmë shtetin tonë. Do të çlirojmë tokën tonë.

Ndërkaq sjellim në vëmendje se aktorja e njohur ukrainase Katheryn Winnick u shpreh për “Fox News” në lidhje me presidentin e vendit të saj se:

Jam shumë krenare që ai është lideri që kemi. Ai e kupton luftën tonë, se ne jemi të fortë dhe do të luftojmë deri në vdekje për të mbrojtur atë që është e jona dhe është shtëpia jonë. Dua që bota të shohë, ky është një hero i vërtetë. Ky është një udhëheqës i vërtetë që e bashkon botën dhe po nxjerr në pah Ukrainën tonë. Ai po qëndron me njerëzit e tij. Ai është i gatshëm të luftojë deri në vdekje.