Bashkia Vlorë njofton qytetarët, bizneset dhe subjektet e ndërtimit se në kuadër të garantimit të mbarëvajtjes së sezonit turistik veror 2026, do të hyjnë në fuqi masa të posaçme për kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda e disiplinimin e aktiviteteve të ndërtimit në territorin e bashkisë.
Masat do të zbatohen gjatë periudhës 5 qershor – 15 shtator 2026, me qëllim përmirësimin e qarkullimit rrugor, rritjen e sigurisë publike dhe krijimin e kushteve sa më të favorshme për qytetarët dhe vizitorët gjatë sezonit turistik.
Në këtë kuadër do të pezullohen përkohësisht punimet e ndërtimit në zonat urbane dhe turistike të Bashkisë Vlorë, përfshirë qytetin e Vlorës, Lungomaren, Skelën, Ujin e Ftohtë, Plazhin e Vjetër, Radhimën, Orikumin, Jonufrën, Nartën, Zvërnecin, si dhe akset kryesore turistike.
Përjashtim do të bëjnë vetëm punimet infrastrukturore dhe shërbimet publike të autorizuara nga Bashkia Vlorë.
Sipas urdhrit, ndalohet qarkullimi i mjeteve të rënda mbi 3.5 ton:
Të premten, nga ora 15:00 deri në 24:00;
Të shtunën dhe të dielën, gjatë gjithë ditës.
Po ashtu, ndalohet kryerja e ngarkim-shkarkimeve nga mjetet e transportit të mallrave me peshë 1.5 deri në 3.5 ton:
Nga e hëna në të premte, në intervalet 06:00–11:00 dhe 15:00–24:00;
Të shtunën dhe të dielën, nga 06:00 deri në 24:00.
Ndërkohë, ndalohet parkimi i mjeteve mbi 3.5 ton dhe i kamperave në rrugët kryesore të qytetit, përfshirë Lungomaren dhe Bulevardin “Ismail Qemali”, sipas përcaktimeve të urdhrit në fuqi.