Shefi i Festivalit të Këngës në Eurovision, Martin Green, ka deklaruar se organizatorët po e ndjekin me shumë kujdes procesin e votimit në konkurs, pas shqetësimeve të ngritura për ndikimin e mundshëm të fushatave në media sociale në rezultatet e garës. Sipas Green, disa transmetues kanë pretenduar se postime nga llogari të lidhura me qeverinë izraelite kanë nxitur votuesit të votojnë disa herë, çka ka hapur debat mbi mënyrën e ndikimit në votën e publikut në edicionin e kaluar të festivalit.
Ai tha për BBC se disa prej fushatave promovuese nga transmetues të caktuar kanë qenë “paksa të tepruara”, duke shtuar se çdo shkelje e mundshme e rregullave do të vihet nën shqyrtim të mëtejshëm nga Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU), organizatori i konkursit. EBU ka lëshuar më herët një paralajmërim për transmetuesin izraelit Kan, pas publikimit të një videoje që u bënte thirrje fansave të votojnë disa herë për këngën përfaqësuese të Izraelit. Organizata vlerësoi se një veprim i tillë nuk ishte në përputhje me “frymën e garës” dhe kërkoi heqjen e materialit. Green theksoi se aktualisht nuk bëhet fjalë për skualifikim, duke thënë se çdo problem trajtohet përmes dialogut dhe zgjidhjes në mënyrë të brendshme.
Rikujtojmë se EBU ka reaguar vetëm pak ditë para edicionit të 70-të të Eurovisionit (12–16 maj në Vjenë), duke i dërguar paralajmërim televizionit izraelit KAN për shkelje të rregullave të garës. Shkak u bë një video promovuese, ku përfaqësuesi i Izraelit, Noam Bettan, në 13 gjuhë u bënte thirrje shikuesve që të votonin 10 herë për Izraelin. Drejtori i Eurovisionit, Martin Green, konfirmoi se EBU u njoftua më 8 maj dhe brenda 20 minutash kontaktoi delegacionin izraelit, duke kërkuar që videot të ndaleshin menjëherë dhe të hiqeshin nga të gjitha platformat, kërkesë që, sipas EBU-së, u respektua menjëherë.