Aktualitet

Sherr për prona në Librazhd, arrestohet një 42-vjeçar!

Në Librazhd, një sherr për prona mes dy banorëve në fshatin Gizavesht, bëri që njëri prej tyre të qëllonte me armë gjahu  në ajër, si shenjë kërcënimi ndaj fqinjit 80-vjeç. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar. Uniformat blu shkuan në vendngjarje e kapën në flagrancë një 42 vjeçar. Arma e gjahut dhe municioni luftarak që ishin pa leje u sekuestruan si provë materiale.

Njoftimi i policisë:

Menjëherë pas njoftimit se në fshatin Gizavesht, një shtetas kishte qëlluar me armë gjahu, në ajër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale dhe arrestimin e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi S. Xh., 42 vjeç.

Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive pronësie, me fqinjin e tij, shtetasin H. Xh., 80 vjeç, në fshatin Gizavesht, ka qëlluar me armë gjahu, në ajër, për ta kanosur atë.

Nga të shtënat nuk ka patur shtetas të dëmtuar.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut dhe një sasi municioni luftarak, që posedoheshin pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.