Aktualitet

Shirat në Gjirokastër, rrëshqitje dherash e probleme me energjinë në disa zona!

Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar problematika në disa zona të Qarkut Gjirokastër, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se situata po monitorohet në terren.

Sipas informacionit zyrtar, në aksin rrugor Tepelenë – Gjirokastër ka prezencë inertesh në rrugë si pasojë e reshjeve. Firma kontraktore ndodhet në terren dhe po punon për pastrimin e tyre, ndërsa qarkullimi i automjeteve vijon normalisht dhe nuk është ndërprerë.

Problematike paraqitet situata në Memaliaj, ku rruga që lidh fshatin Xhafaj, në Njësinë Administrative Buz, është bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së dherave.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, pjesa më e madhe e qarkut furnizohet normalisht. Megjithatë, jashtë funksionit mbetet fidri që furnizon Njësinë Administrative Dropull i Sipërm, në Bashkinë Dropull, si edhe një pjesë e qytetit Tepelenë.

Ndërkohë, furnizimi me ujë të pijshëm vijon pa ndërprerje në të gjithë qarkun.

Autoritetet bëjnë me dije se nivelet e lumenjve Lumi Vjosë dhe Lumi Drino janë në kuota normale dhe nuk paraqesin rrezik për përmbytje.

Strukturat vendore dhe shërbimet e emergjencës mbeten në gatishmëri dhe në monitorim të vazhdueshëm të situatës.