Aktualitet

Shqiptarët investuan 760 milion euro në pasuri të paluajtshme jashtë vendit, më 2023!

Shqiptarët kanë rritur investimet në pasuri të paluajtshme jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë vitet e fundit. Sipas të dhënave zyrtare të Eurostat mbi pozicionet e Investimeve të Huaja Direkte, stoku i investimeve që rezidentët shqiptarë zotërojnë në pronat jashtë kufijve ka kapur vlerën rekord me një stok 766.5 milion euro në fund të vitit 2023.

Fluksi ka qenë shumë i lartë në vitin 2023 me 760 milion euro, pasi deri në vitin 2022, stoku i investimeve të shqiptarëve në pasuri të paluajtshme jashtë vendit qe vetëm 6.5 milion euro, sipas Eurostat-it.

Të dhënat tregojnë se shqiptarët kanë dërguar jashtë vendit rreth 760 milion euro për blerje pronash, një vlerë kjo sa 2.5% të PBB-së së vendit. Shifra dëshmon për një akumulim të lartë kapitali në duart e individëve dhe kompanive shqiptare, që po e zhvendosin pasurinë e tyre jashtë.

Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria paraqet një profil krejtësisht të ndryshëm dhe shumë më agresiv në raport me investimet jashtë vendit. Maqedonia e Veriut raporton shifra modeste që nuk i kalojnë 3 milionë eurot, dhe vende si Serbia apo Mali i Zi nuk kanë të dhëna të publikuara.

Ky ekspansion ngre pyetje mbi burimet e këtij likuiditeti dhe arsyet që po i shtyjnë investitorët shqiptarë të zhvendosen jashtë, pasi tregu i brendshëm është në një fazë bumi çmimesh.

Ekspertët e tregut pohojnë se ka një vale reale ku individët e pasur po blejnë prona apo shtëpi pushimi në vende si Greqia, Italia apo Spanja, nisur nga kursi i favorshëm i euros dhe rregullat më të qarta të pronësisë. Gjithashtu mësohet se ka rol përmirësimi i metodologjisë nga Banka e Shqipërisë dhe rritja e shkëmbimit të informacionit.

Gjithashtu, rritja e çmimeve të pronave në vendi tonë sidomos në Tiranë ka kaluar nivelet mesatare të çmimeve ë disa zona të Mesdheut, duke shtyrë gjithnjë e më shumë kapitalin vendas jashtë.

Nëse një apartament në Tiranë kushton afërsisht sa një apartament në një qytet europian, shumë blerës zgjedhin të dytin, duke e parë si një investim me kthim më të mirë nga qiraja.

Grupet e mëdha të biznesit shqiptare kanë blerë asete të rëndësishme jashtë vendit, si hotele, resorte ose ndërtesa zyrash.

Nëse një kompani shqiptare blen një pronë të tillë në emër të saj, e gjithë vlera regjistrohet si investim dalës. Pronat jashtë vendit ofrojnë siguri më të madhe ligjore dhe mbrojtje nga luhatjet e mundshme të ekonomisë tonë./ Monitor