Aktualitet

Shqiptarët me ritme të shpejta drejt pagesave bankare!

Përdorimi i kanaleve bankare të pagesave nga shqiptarët u rrit më tej në gjysmën e parë të vitit. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë 2025, individët dhe bizneset kanë kryer pothuajse 28 milion pagesa në rrugë bankare, në rritje me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, vlera totale e transaksioneve arriti në 3.5 trilion lekë , në rritje me 13% në raport me 6-mujorin e parë të vitit 2024. Në veprimet bankare të shqiptarëve, peshën kryesore vazhdojnë ta zënë pagesat me karta, me rreth 67% të totalit.

Veprimet me kartë ende dominohen nga tërheqjet e parasë cash nga bankomatet, por pagesat me kartë në terminalet POS po rriten me ritme të shpejta vitet e fundit.

Në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 12.57 milion pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes (POS). Numri i pagesave me kartë është rritur me 42% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e vitit 2025 numri i kartave aktive arriti në 1.57 milion, në rritje me 6% krahasuar me një vit më parë.

Grupi i dytë më i madh brenda pagesave në rrugë bankare janë transfertat e kreditimit të nisura nga klientët. Këto përfshijnë pagesat e nisura nga klientët në degët e bankave ose nëpërmjet kanaleve bankare në distancë, kryesisht internet banking.

Klientët e sektorit bankar kryen gjithsej 8.2 milion transferta kreditimi (pagesa) nga llogaritë  e tyre. Këtë vit po theksohet më tej dominimi i transfertave bankare. Një pjesë më të vogël në strukturën e pagesave bankare zënë veprimet e debitimit direkt, pagesat me para elektronike dhe çeqet.

Rritja e numrit të veprimeve të kryera nëpërmjet kanaleve bankare është e lidhur me zgjerimin e aktivitetit ekonomik, por në një masë të madhe edhe me uljen e veprimeve të kryera në para fizike, duke i zëvendësuar ato me pagesa bankare. Ky është një parakusht i rëndësishëm për uljen e nivelit të informalitetit në ekonomi./Monitor