Aktualitet Sociale

Shtrimet në spitalet publike për 2024-ën, u rritën 5%!

Për 2024-ën, numri i pacientëve të trajtuar në shërbimet spitalore publike me shtretër, u rrit 5% krahasuar me vitin paraardhës. Konstatohet se për Kardiologjinë, në Psikiatri dhe trajtimet me radioterapi, ranë nga 4 deri në 33%. Por, pati shtim të numrit të seancave për pacientët që trajtohen me dializë, me 3% krahasuar me vitin paraardhës. Të dhënat për numrin e pacientëve të trajtuar në shërbimin spitalor janë publikuar te “Raporti i monitorimit për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2024”.

Bien shtrimet në Psikiatri dhe Kardiologji

Referuar të dhënave, numri i të trajtuarve me shtretër në spitalet publike, arriti në 322,025 pacientë, kundrejt 397,580 të parashikuar, me një kosto prej 86,792 lekësh/pacientë. Në raport me 2023-shin numri i pacientëve të shtruar u rrit 5%.

Numri i pacientëve të trajtuar në spitalet psikiatrike është 1,096 pacientë kundrejt 924 të parashikuar, me një kosto prej 874,173 lekësh/pacient. Krahasuar me 2023-shin, numri i shtrimeve ra 33%.

Pacientë të trajtuar nga paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë rezultuan 10,453 pacientë në vitin 2024, kundrejt 9,720 të parashikuar me një kosto prej 118,911 lekësh/pacientë. Në Kardiologji, shtrimet janë ulur 4% krahasuar me 2023-shin.

Numri i seancave për pacientët që trajtohen me dializë më 2024-ën arriti në 205,633 seanca kundrejt 225,000 të parashikuara, me një kosto prej 12,868 lekësh/seancë. Krahasuar me vjet, numri i seancave u rrit 6%.

Numri i pacientëve të trajtuar nga paketat e transplanteve renale arriti në 14 më 2024-ën, me një kosto prej 1,620,429 lekësh/pacientë. Numri i transplanteve ra 33%, krahasuar me 2023-shin.

Depistimet për kancerin e gjirit dhe qafës së mitrës

Depistimet nga gratë për kancerin e gjirit më 2024-ën, ranë krahasuar me vjet, por janë rritur kontrollet parandaluese për kancerin e qafës së mitrës. Sasia faktike e kontrolleve më 2024-ën, arriti në 10,200. Krahasuar me vjet, numri i tyre u rrit 10.4%.

Depistimet për kancerin e gjirit janë me rënie. Më 2024-ën u kryen 3,700 kontrolle apo 28% më pak se më 2023-shin. Qëllimi i kontrolleve bëhet për të kapur më herët ose për të parandaluar sëmundjet tumoriale te gratë. Në vend, kontrollet për kancerin në qafën e mitrës kryhen nga Shërbimi Parësor.

Sipas të dhënave të Raportit të Monitorimit, rënie është shënuar edhe te pacientët që trajtohen me seanca radioterapie. Pacientë të trajtuar me radioterapi kanë qenë 29,665 pacientë kundrejt 25,091 të parashikuar, me një kosto prej 3,314 lekësh/pacientë. Krahasuar me 2023-shin, numri i tyre ra 6%. /Monitor