Muzikanti i njohur australian së fundmi ka dhënë lajmin tronditës. Nick Cave ka njoftuar se djali i tij i madh Jethro Lazenby ka ndërruar jetë në moshën 31-vjeçare, por nuk e bëri të ditur shkakun e vdekjes. Në një deklaratë të shkurtër ai shkroi:
Me shumë pikëllim, konfirmoj se djali im, Jethro, ka ndërruar jetë. Ne do të ishim mirënjohës të kishim privatësi në familje në këtë kohë.

Jethro lindi në vitin 1991 nga Nick dhe Beau Lazenby. Djali i dytë i tij, Luke, lindi 10 ditë pas Jethro, nga gruaja e parë e Cave, Viviane Carneiro. Jethro u rrit në Australi dhe thuhet se nuk e takoi Nick deri në moshën 7-vjeçare. Pasi u transferua në Britaninë e Madhe, Jethro u bë model për markat e mëdha, përfshirë Balenciaga dhe Versace. Ai gjithashtu nisi të merrej me projekte muzikore.

Jethro kohët e fundit ishte burgosur për një sulm të dhunshëm ndaj nënës së tij, Beau Lazenby, në shtëpinë e saj në Melburn, Australi. Avokati i tij njoftoi se ai ishte diagnostikuar me skizofreni. Ai u burgos dhe u lirua fundjavën e kaluar. Jethro ishte dënuar më parë për sulm në vitin 2018, ndaj të dashurës së tij të atëhershme. Vdekja e Jethro vjen më pak se shtatë vjet pasi djali tjetër i Cave, Arthur, vdiq në moshën 15-vjeçare, pasi ra nga një shkëmb në Brighton.