Health & Beauty Lifestyle Tech

Si Inteligjenca Artificiale po ‘trazon’ industrinë e bukurisë…

Një trend i ri i krijuar nga Inteligjenca Artificiale po sjell tension në industrinë e bukurisë, ku stilistët e flokëve dhe artistët e makeup-it po përballen gjithnjë e më shpesh me klientë që kërkojnë pamje të gjeneruara nga AI; imazhe perfektë, të cilat nuk ekzistojnë në realitet. Sipas profesionistëve të fushës, problemi nuk lidhet më vetëm me tendencat estetike, por me pritshmëri të deformuara nga imazhe digjitale hiper-perfekte që qarkullojnë në rrjete sociale. Klientët, veçanërisht në evente si dasma, shpesh kërkojnë të riprodhojnë pamje që janë krijuar nga algoritme dhe jo nga njerëz.

“Duhet t’u shpjegojmë qartë se kjo është një fantazi digjitale”, thonë specialistët e industrisë, duke theksuar se shumë elemente në këto imazhe nga struktura e fytyrës deri te ngjyrat e flokëve nuk janë reale dhe nuk mund të replikohen identikisht në praktikë. Brenda sektorit të bukurisë, kjo ka krijuar një dinamikë të re pune; konsultime më të gjata, analiza të detajuara të imazheve dhe përpjekje për të përkthyer një estetikë të paarritshme në rezultate reale. Në shumë raste, artistët detyrohen të shpjegojnë se ajo që shfaqet në ekran është produkt i manipulimit digjital dhe jo një pamje e realizueshme fizikisht.

Ndikimi i AI-së nuk kufizohet vetëm te bukuria. Imazhet e gjeneruara artificialisht po ndikojnë gjithnjë e më shumë në fusha të ndryshme, duke krijuar standarde të reja dhe shpesh të paarritshme estetike në rrjete sociale dhe platforma vizuale. Megjithatë, profesionistët theksojnë se kjo sfidë po rikthen në fokus rolin e njeriut në proces: aftësinë për të komunikuar, për të interpretuar dhe për të krijuar rezultate reale nga pritshmëri të krijuara në botën digjitale.