Eftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë sociologia Eva Sinanaj. Ajo ka folur më shumë mbi deklaratën e bujshme të Neda Ballukut, ku akuzonte prindërit se po i rëndojnë gjyshërit me rritjen e nipërve të tyre. A bie dakord Eva me këtë deklaratë të Nedës?
Çfarë duhet pasur parasysh kur bëhesh prind?
Nëse vendos të prindërosh, të bëhesh nënë apo të bëhesh baba, duhet patjetër që ti ta kesh mirëmenduar këtë pjesë. Sepse jeta jote, të paktën tre vitet e para të fëmijës, është e pamundur të jetë njëlloj siç ka qenë më përpara. Nëse ke qenë një çift që dilte çdo fundjavë, vinte në shtëpi në të gdhirë, kishte jetën e tij sociale apo personale, tani normalisht detyra prindërore të thërret dhe ndonjëherë ngatërrohen disa koncepte, moderne apo jo moderne. Mendoj se nëse ke vendosur që të jesh nënë, duhet të jesh një nënë e mirë, për t’u kujdesur për fëmijët e tu dhe për familjen tënde me kohë të plotë, për aq kohë sa është e nevojshme të jesh me kohë të plotë. Nuk mund të konceptohet një fëmijë që e mban dadoja, sepse nëna do të vazhdojë ritmin e saj njësoj si para se të bëhej nënë, për të bërë pushime me shoqërinë, ose për të dalë çdo fundjavë. Padiskutim që çiftit burrë-grua i ndryshojnë dinamikat kur vjen në jetë fëmija dhe ka nevojë për hapësirën e tij dhe për të mbajtur marrëdhënien e shëndetshme pasi vjen në jetë fëmija, por gjenden mundësitë dhe ka pak sakrifica. Në fund të fundit ke vendosur të bëhesh prind.
Si ka qenë roli i gjyshërve në familjet shqiptare dhe si ka evoluar ai me kalimin e kohës?
Zakonisht ne dimë që nga tradita, që familjet e reja jetonin 2-3 kurora në një apartament ose në një banesë. Dhe fëmijët rriteshin me kushërinjtë, me gjyshet, me gjyshërit, nëse prindërit ishin në punë. Tani ne kemi kaluar në familje bërthamë, janë vetëm prindërit, dhe gjyshërit që i mbajnë jo gjithmonë janë me prindërit, janë afër lagjes apo afër qytetit dhe i vijnë në ndihmë. Pra kemi kaluar nga familje të gjera, në familje bërthamë. Por fakti që angazhohen dhe fakti që përfshihen, tregon që e ruajnë këtë traditën. Edhe gjyshërit e ditëve të sotme, nuk janë më gjyshërot e ditëve më përpara. Sepse ne gjyshet e ditëve të sotme i kemi më të angazhuara në jetën sociale, kemi gjyshe që janë në punë, janë të arsimuara. Këto bëjnë që të minimizohet koha e të qenurit gjyshe, por kjo kohë të jetë më cilësore, sepse gjyshërit janë më të arsimuar.