Lifestyle Live From Tirana Sociale

“1 Qershori, një moment reflektimi…”/Psikologia: Sot ka humbur loja e fëmijëve!

E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë sociologia Eva Sinanaj. Ajo ka folur më shumë për festën e fëmijëve 1 Qershorin dhe si është prindërimi sot…

Çfarë simbizon për ne si shoqëri 1 Qershori?

Për fëmijët duhet të jetë një festë e bukur, një festë më shumë në kalendarin e vitit. Kurse për ne të rriturit, duhet të jetë padyshim një moment reflektimi, një moment ndërgjegjësimi, dhe jo vetëm në rolin tonë si prindër, por dhe në rolet dhe funksionet që kemi në të përditshmen tonë. Këtu flas për ata që kanë në dorë vendimmarrje për të bërë një fëmijëri sa më të shëndetshme dhe sa më të bukur për të gjithë fëmijët e shoqërisë. Pastaj kur je prind, ajo përgjegjësi rritet dhe të lind pyetja: A jam i mirë mjaftueshëm, a po bëj mirë detyrën time? E shikoj shpesh këtë dilemën e prindërve në të përditshmen. Në ditët që ne po jetojmë prindërit janë më të ngarkuar, janë me kohë më të pakët për të qëndruar pranë fëmijëve sepse detyrohen të punojnë me orare të gjata dhe shpeshherë përpiqen t’i plotësojnë të gjithë anën materiale, por nuk u plotësojnë gjënë më të rëndësishme, atë emocionale. Është shumë e rëndësishme që ne fëmijët tanë, t’i mbushim shumë emocionalisht.

Cilat janë pasojat e të mos krijuarit kohë për fëmijët?

Ne të gjithë që jemi prindër, duhet t’ia bëjmë këtë pyetje vetes sonë, se çfarë po i bëjmë fëmijës. A po jeton ai një fëmijëri aktive? A po luan fëmija jonë? A ka eksperienca të bukura? A ka shokë? A po socializohet? Po të na pyesësh ne të rriturve se çfarë mbajmë mend nga fëmijëria, ne pak do themi për lodrat. Ne luanim me shokët në oborr, krijonim lojëra me njëri-tjetrin, gatimet e gjyshes, e me radhë. Kurse në ditët që po jetojmë, po na humb loja, kontakti i fëmijëve me njëri-tjetrin, kontakti fizik, komunikimi. Prindërit i programojnë jetën fëmijës në ditët që ne jetojmë, i programojnë kohën. Është një gjë e mirë, por nga ana tjetër duhet parë se sa në kontakt është fëmija jonë me fëmijët e tjerë, sa po socializohet, sepse kështu rritet fëmija.