Me goditjet e fundit në Kiev e rajonin Sumi, Moska e ka përshkallëzuar fushatën e sulmeve vdekjeprurëse me dronë ndaj Ukrainës edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se do të telefonojë udhëheqësit rus e ukrainas, në përpjekje për armëpushim.
Guvernatori i rajonit të Kievit tha sot se një 28-vjeçare u vra dhe një fëmijë 4 vjeç ishte në mesin e të plagosurve në distriktin Obuhiv, pranë kryeqytetit ukrainas.
Një ditë më parë, një dron rus goditi një minibus që transportonte civilë në rajonin e Sumit duke vrarë nëntë persona dhe plagosur disa të tjerë. Sulmet ndodhën pas bisedimeve direkte për paqe mes Kievit e Moskës në Stamboll, të parat në gati tre vjet e që nuk prodhuan asnjë përparim. Ukraina akuzoi Rusinë për kërkesa “të papranueshme”.
Rusia refuzon thirrjet nga Ukraina, vendet europiane dhe Shtetet e Bashkuara për armëpushim 30-ditor në luftën që vijon nga shkurti 2022. Në një postim në Truth Social, Trump tha se nesër do të fliste me Putinin, në telefon.
Temat e thirrjes, ndalimi i gjakderdhjes që mesatarisht po vret më shumë se 5.000 ushtarë rusë e ukrainas në javë, si dhe tregtia.
Trump shtoi se më pas do të flasë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, me një thirrje në grup me Zelenskyn e anëtarë të ndryshëm të NATO-s.
Shpresoj që të jetë ditë produktive, të ndodhë një armëpushim e kjo luftë shumë e dhunshme, një luftë që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë, të përfundojë.
Më herët, Trump pati deklaruar:
Asgjë nuk do të ndodhë nëse unë dhe Putin nuk takohemi. Duhet të takohemi, teksa u shpreh optimist për një angazhim me Putinin, por gjithashtu i gatshëm për të ushtruar presion ndaj Rusisë nëse është e nevojshme. Mendoj se do të arrijmë marrëveshje me Putinin. Do të përdor ndikim ndaj Putinit nëse është e nevojshme.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se një takim Trump-Putin për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, Ukrainën dhe çështje të tjera është “me siguri i nevojshëm”, por do kohë për t’u përgatitur e nuk duhet të mbahet nëse nuk prodhon rezultate.
Viktima civile në Ukrainë
Mykola Kalashny, kreu i administratës rajonale të Kievit, tha se sulmi i sotëm në distriktin Obuhiv goditi një shtëpi private dhe se një ndërtesë apartamentesh aty pranë u dëmtua. Deri në orët e para të mëngjesit, ekipet e emergjencës ishin në vendngjarje.
Kryeqyteti, rajoni përreth dhe pjesë të mëdha të Ukrainës lindore mbetën nën alarme për sulme ajrore në orët e para të mëngjesit.