Sport

Skadojnë klauzolat, tani te Interi janë më të sigurt për Turam!

Pavarësisht një fundsezoni të vështirë të shoqëruar me dëmtime, pjesëmarrja më shumë si spektator në Kupën e Botës për Klube dhe tensionet e raportuara me kapitenin Lautaro Martinez, Markus Turam mbetet një pikë kyçe në projektin e ri të Interit të drejtuar nga trajneri Kristian Kivu.

Klubi zikaltër nuk ka asnjë synim ta lëshojë sulmuesin francez, përkundrazi e konsideron një shtyllë të padiskutueshme në fazën e re që po ndërton. Një faktor që forcon pozicionin e Interit është edhe skadimi i klauzolës së lirimit prej 85 milionë eurosh, e cila ishte e vlefshme deri në mesnatën e kaluar. Tani, çdo klub që dëshiron të sigurojë shërbimet e Turamit duhet të ulet në tryezë me drejtuesit Marota dhe Ausilio.

Pozicioni i drejtuesve është i qartë, Turam largohet vetëm për një ofertë “monstër”, pra mbi 90 milionë euro. Por aktualisht, nuk ka asnjë sinjal konkret që kjo mund të ndodhë. Në selinë zikaltër, askush nuk e parashikon dhe as nuk i frikësohet një ndarje të mundshme.

Ndërkohë, një tjetër emër që po tërheq interes të madh është ai i mbrojtësit gjerman Jan Bisek. Edhe kontrata e tij përfshin një klauzolë prej 120 milionë eurosh, e vlefshme vetëm gjatë korrikut dhe vetëm për klubet jashtë Italisë. Kjo klauzolë është vendosur me këmbënguljen e agjentëve të lojtarit, siç ishte edhe rasti me transferimin e tij nga Arhus përmes aktivizimit të një klauzole prej 7 milionësh. Me kontratë të vlefshme deri në vitin 2029 dhe me statusin e dikurshëm si kapiten i përfaqësueses U-21 të Gjermanisë, Interi ka bërë një investim të konsiderueshëm te Bisek.

Ndaj edhe çmimi i lartë synon të sigurojë përfitim maksimal në rast të një shitjeje të mundshme. Megjithatë, duket e pamundur që ndonjë klub të jetë i gatshëm të shpenzojë një shumë të tillë, edhe pse inspirimi vjen nga klauzolat rekord që përdoren në kontratat spanjolle. Interi ruan qëndrueshmërinë në projektin e tij, lojtari që është pjesë e së ardhmes, largohet vetëm nëse e kërkon e ardhmja vetë, me çmim të jashtëzakonshëm.