Një hetim i madh penal po trondit Francën. Mbi 240 gra raportuan se janë droguar gjatë intervistave të punës me një zyrtar të lartë francez në Ministrinë e Kulturës, Christian Nègre. Sipas dëshmive, të cituara nga gazeta britanike “The Guardian”, ministri u ofroi kandidateve kafe ose çaj të përzier me një diuretik të fuqishëm e të paligjshëm, gjë që do t’i bënte të kishin nevojë të përdornin tualetin.
Sipas akuzave, pasi i drogonte, Nègre sugjeronte që të vazhdonin intervistat jashtë, duke bërë shëtitje të gjata larg tualeteve, duke e ditur se do të ndiheshin keq. Më pas vëzhgonte re reagimet e tyre.
Dëshmitë
Shumë nga gratë që denoncuan zyrtarin, kujtuan se luftonin me nevojën për të përdorur banjën dhe ndiheshin gjithnjë e më keq. Të dëshpëruara, disa prej tyre urinonin në publik ose nuk arrinin të shkonin në tualet në kohë, duke lagur rrobat. Një nga viktimat e supozuara, një eksperte marketingu nga Lille, tha se pa një njoftim pune për Ministrinë franceze të Kulturës, në një faqe të mediave sociale.
Pasi udhëtoi drejt Parisit për intervistën, mundësia që do t’i ndryshonte jetën u shndërrua në makth.
Në atë kohë, as nuk e dija që ekzistonte kjo lloj dhune.
Një grua tjetër tha se kishte shtypur butonin për një kafe të ëmbëlsuar lehtë. Në atë moment, sipas dëshmisë së saj, Nègre i mori filxhanin dhe eci përgjatë një korridori për të përshëndetur një kolege. Ai u kthye për t’i sjellë pijen. Pastaj sugjeroi që të dilnin jashtë: “Moti është i mrekullueshëm, a duhet të vazhdojmë të ecim jashtë?”.
Intervista pranë Luvrit, mund të zgjaste me orë të tëra.
Duart më dridheshin, zemra më rrihte fort, djersa më rridhte në ballë, po skuqesha. Thashë, “kam nevojë për një pushim”. Por, ai vazhdoi të ecte. Më duhej të përkulesha. Ai u afrua, hoqi xhaketën dhe tha, “do të të mbroj”. Mendova se ishte e gjitha e çuditshme dhe se e prisha intervistën.
Zyrtari regjistroi kohët dhe reagimet
Sulmet e dyshuara dolën në dritë në vitin 2018 pasi një koleg i Nègre-së e denoncoi lidhur me përpjekjen për të fotografuar këmbët e një zyrtari të lartë, duke bërë që policia të hapte një hetim. Oficerët gjetën një shënim ku Nègre regjistroi kohët e administrimit të ilaçeve dhe reagimet e grave.
U hoq nga Ministria
Në vitin 2019, Nègre u hoq nga Ministria e Kulturës dhe nga Shërbimi Civil. Zyrtarisht është nën hetim për disa akuza, duke filluar nga përdorimi i drogës e deri te sulmi seksual. Avokati i tij ka deklaruar se nuk do të komentojë ndërsa hetimi vazhdon. Teksa pret gjyqin, Nègre po punon në sektorin privat.