Aktualitet Zgjedhjet 2025

Sondazhi i McLaughlin: PS-ja fiton zgjedhjet me 49.9% të votave/34.9% votojnë PD-në!

Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot, Partia Socialiste do të fitonte me 49.4% të votave në rang kombëtar, kundrejt koalicionit opozitar Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, me 34.9. Ky është rezultati i sondazhit të tretë, që mbrëmë u publikua ekskluzivisht në emisionin Top Story, në Top Channel dhe që u realizua në bashkëpunim me kompaninë e njohur amerikane “McLaughlin and Associates”.

Sipas të dhënave të sondazhit të tretë, të realizuar nga 26 prilli deri më 3 maj e ku janë pyetur 1 mijë e 200 qytetarë, garën mes partive të tjera e kryeson partia “Mundësia” e Agron Shehajt, me 5.3% të votave, e ndjekur nga “Nisma-Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, me 3.3% dhe Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, me 3.1% të votave.

Sondazhi i publikuar në emisionin Top Story, të Grida Dumës, i pari në Shqipëri me ekspertë ndërkombëtarë që parashikuan fitoren e Donald Trump-it, solli të dhënat për dy qarqet më të rëndësishme e më të mëdha në vend, Tiranën dhe Elbasanin.

Nëse Tirana do të votonte sot, 47.8% e saj do të ngjyrosej rozë, duke zgjedhur Partinë Socialiste, ndërsa 30,8% do të ishte blu, duke zgjedhur Partinë Demokratike. Edhe në kryeqytet, garën e partive të reja e kryeson “Mundësia”, me 5.7% të votave, e ndjekur nga “Shqipëria Bëhet”, me 4.6% e votave, “Lëvizja Bashkë” me 2.1%, PSD-ja me 1.7% dhe Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës me 1.3% e votave.

Shifrat e përkthyera në mandate do të ishin 20 për Partinë Socialiste, 13 për PD-Aleanca Shqipëria Madhështore, 2 për Partinë Mundësia dhe 2 për Lëvizjen Shqipëria Bëhet.

Nëse shqiptarët do të votonin sot, surpriza nuk ka as në Elbasan. Të dhënat e sondazhit për këtë qark nxjerrin fituese Partinë Socialiste me 53.2% të votave, ndaj 33.6% që shkojnë për koalicionin opozitar. Në Elbasan, forcë e tretë del “Shqipëria Bëhet”, që siguron 2.9% të votave, ndjekur nga partia “Mundësia” me 2.2% të votave dhe Lëvizja Bashkë me 1.5%.

Sipas të dhënave të sondazhit të tretë, që publikohet në prag të zgjedhjeve të 11 Majit, Edi Rama është politikani më i pëlqyer për shqiptarët, me 51.9%, i ndjekur nga Sali Berisha, që pëlqehet nga 36.6% dhe Agron Shehaj me 36%. Adriatik Lapaj pëlqehet nga 30.3% e shqiptarëve, i ndjekur nga Arlind Qori me 26.6 e Lulzim Basha me 12.5%.

Edhe në sondazhin e tretë, tri mbeten problemet kryesore të shqiptarëve: ekonomia, papunësia dhe emigrimi.

Sondazhi i McLaughlin-it, në bashkëpunim me Top Channel është i pari në Shqipëri i një kalibri me ekspertë ndërkombëtarë e sjell një standard të ri në analizën e opinionit publik dhe parashikimin e tendencave elektorale. John McLaughlin është vlerësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, si “një nga më të mirët në këtë fushë” e si “një mendje brilante strategjike”.