Në Kryesinë e Kuvendit po mbahet mbledhja e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut mbi arrestimin e Belinda Ballukut. Mbledhja zhvillohet me dyer të mbyllura. Prokuroria e Posaçme përfaqësohet nga drejtuesi, Klodian Braho dhe dy prokurorët që po hetojnë Ballukun, Dritan Prençi e Dorina Bejko. Belinda Balluku nuk merr pjesë e ka dërguar dy avokatët e saj, Ardian Kalia e Pamela Qirko.
Mbledhja filloi me debate, për shkak të kërkesës së anëtarëve të opozitës që të zhvillohet në prani të mediave. Gazment Bardhi akuzoi maxhorancën se ka penguar drejtësinë duke zvarritur me 2 muaj kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Ballukut. Shkak për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit me dyer të mbyllura janë provat e paraqitura nga SPAK-u për Ballukun e që përbëjnë sekret hetimor.
Keni penguar për 2 muaj drejtësinë, keni shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren, u shpreh Bardhi.
Në parim, mbledhjet e organeve të Kuvendit janë të hapura dhe nuk ka asnjë arsye që kjo mbledhje të mbahet me dyer të mbyllura. Ju, zoti kryetar, keni detyrimin që ta hidhni këtë në votim. Nuk mund t’i fshihni publikut vjedhjen nga Belinda Balluku të miliona eurove apo bashkëfajësinë e Edi Ramës në këtë çështje, tha Bardhi.
Shefi i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla iu përgjigj opozitës, që kërkoi mbledhje me dyer të hapura në Këshillin për Mandatet dhe Imunitetin, ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Ballukut. Balla i tha opozitës se është qesharake që kundërshton kërkesën e SPAK-ut për mbledhje me dyer të mbyllura, ndërsa shtoi “mjerë Shqipëria për këtë opozitë”.
Eshtë e pakuptueshme dhe qesharake që PD-ja kundërshton kërkesën e prokurorit për zhvillim me dyer të mbyllura, duke pranuar vetëm një pjesë të së njëjtës kërkesë. Mjerë Shqipëria për këtë opozitë!