Aktualitet

SPAK-u me fokus te krimi zgjedhor, Dumani-gazetarëve: Po hetojmë zyrtarë!

Në një takim me gazetarët, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani u shpreh pro disa ndryshimeve të propozuara në Kodin Penal, duke u ndalur në veçanti tek dënimet për llojet e drogave, ku më herët ka pasur propozime nga ekspertë të fushës për masa më të lehta ndaj shpërndarësve të dozave të vogla.

Debati mbi Kodin Penal është i pritshëm, për shkak se ka një rëndësi jetike për shtetin ligjor, pas Kushtetutës, në hierarkinë ligjore. Debati që duhet të bëhej është a është i nevojshëm një Kod i ri Penal? Unë mendoj se duhen bërë disa ndryshime, për vepra penale që parashikojnë dënime të rënda. Një rast, që më vjen në mendje është prodhimi dhe shitja e narkotikëve. Ka ardhur koha të ketë diferencim të dënimeve për llojet e drogave. Mos të jetë i njëjti dënim, si për kokainën, si për kanabisin apo drogat sintetike

Dumani bëri të ditur se ende nuk e kanë marrë zyrtarisht draftin.

Nuk kemi qenë pjesë e draftit. Kam parë qëndrimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe në shumë gjëra bashkohem me të.

Ndër të tjera, Dumani u shpreh se krimi zgjedhor ka qenë prioriteti kryesor i Prokurorisë së Posaçme gjatë gjithë procesit elektoral. Në takimin e sotëm me gazetarët theksoi se SPAK-u u angazhua që prej muajit mars e gjatë gjithë fushatës, me një strategji që synonte parandalimin e shkeljeve e sipas tij, kjo strategji dha rezultat.

Pritëm që KQZ-ja të shpërndante mandatet dhe të konsiderohej i mbyllur procesi zgjedhor. Jeni informuar herë pas herë për krimin zgjedhor. SPAK ka qenë i angazhuar që në mars e deri në përfundim të procesit zgjedhor. Strategjia, së pari pati efekt parandalues dhe e ka dhënë këtë efekt.

Bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ishte efektiv.

Nga SPAK-u janë administruar 193 materiale, në të cilat u gjetën prova që janë në proces. Dumani theksoi edhe se dy persona u arrestuan në flagrancë dhe janë marrë 16 vendime gjykate për kontrolle

Janë 193 materiale të administruara në total. 80 materiale, kallëzime nga shtetasit. 10 të nisur kryesisht. Nga 43 të regjistruara, 1 u dërgua në gjyq, 1 i pezulluar, 1 i përcjellë për kompetencë. Janë arrestuar 2 vetë në flagrancë. 16 vendime gjykate për kontrolle. Rezultatet kanë qenë të kënaqshme. Janë gjetur prova për çështjet qe i kemi në proces.

Sipas kreut të SPAK-ut, prokurorët kanë prioritet trajtimin e këtyre çështjeve dhe se janë siguruar prova për disa prej hetimeve në proces.

Prokurorët kanë prioritet çështjet e krimeve zgjedhore. Në 43 raste është vendosur mosfillim, pasi nuk ka pasur elementë të veprës penale. Kryesisht kanë qenë nga partitë politike. Vetëm 3 prej tyre janë ankimuar dhe gjykata ka konfirmuar prokurorinë.

I pyetur nëse ka pasur apo jo asfalt elektoral, punësime të paligjshme, apo përdorim të administratës, Dumani u përgjigj:

Në rastet që kemi hetuar, nuk ka pasur. Nuk marr përsipër të them për më shumë.

A ka hetim për financimin e fushatave?

Deri më tani nuk kemi hetim penal.

Për korrupsionin zgjedhor, a keni zyrtarë në hetim dhe deri në ç’nivel të hierarkisë shtetërore?

Po kemi zyrtarë. Për nivelin, në një moment të mëvonshëm.