Kur “Squid Game” debutoi në platformën Netflix në shtator të vitit 2021, askush nuk e priste se do të shndërrohej në një fenomen global.
Seriali korean, me një buxhet relativisht të ulët prej 21 milionë dollarësh, i dha një shtysë të jashtëzakonshme kompanisë amerikane, duke i rritur vlerën me afro 900 milionë dollarë.
Suksesi i serialit u mat edhe në shifra konkrete: mbi 1.65 miliardë orë shikim u regjistruan në platformë, duke e bërë “Squid Game” një nga prodhimet më të ndjekura në historinë e Netflix.
Ky impakt i jashtëzakonshëm bëri që gjiganti i transmetimit të vendoste të investojë 2.5 miliardë dollarë të tjera për produksione të reja koreane, duke e kthyer Korenë e Jugut në një qendër strategjike për përmbajtje të re.

Megjithatë, pavarësisht këtij suksesi të jashtëzakonshëm, krijuesi dhe regjisori i serialit, Hwang Dong-hyuk, nuk përfitoi në të njëjtën masë financiare. Ai kishte dorëzuar të drejtat e pronësisë intelektuale dhe përfitimet e mëtejshme, duke marrë vetëm një pagesë të paracaktuar për punën e tij. Kjo ngjalli debat mbi shpërblimin e drejtë të krijuesve në industrinë e argëtimit.
“Squid Game” nuk ishte thjesht një serial i suksesshëm – ai u kthye në një pikë kthese për Netflix dhe për industrinë televizive koreane në tërësi, duke provuar fuqinë e përmbajtjes ndërkombëtare dhe ndikimin që mund të ketë në tregun global të argëtimit.