Steve Jobs, themeluesi dhe ish-drejtuesi i Apple, kompania me kapitalin më të madh në bursë, njihet si një prej figurave më ndikues në botën e teknologjisë. Megjithatë, përveç Apple, Jobs ka udhëhequr edhe projekte të tjera të rëndësishme, si kompania NeXT, e themeluar në vitin 1985 dhe e fokusuar në zhvillimin e stacioneve të punës për bizneset dhe institucionet arsimore. Gjatë kohës që ishte në krye të NeXT, Jobs ndau me stafin një nga bindjet e tij më të forta rreth asaj që, sipas tij, shkatërron produktivitetin në kompani, mbledhjet e tepërta.
Në një memo të brendshme, ai shkroi: “Kompania jonë bazohet në parimin se disa njerëz të mirë mund të krijojnë një produkt të shkëlqyer nëse nuk kufizohen.” Jobs besonte se mbledhjet shpesh humbasin kohën e stafit dhe shërbejnë më shumë për të justifikuar projekte, sesa për të krijuar produkte të suksesshme. Ai theksonte rëndësinë e kohës së pandërprerë për punë individuale, prandaj vendosi që çdo e enjte të ishte ditë pa asnjë mbledhje në NeXT.
Ky qëndrim nuk është unik për Jobs. Elon Musk, drejtues i Tesla, X dhe SpaceX, ka praktika të ngjashme. Ai lejon çdo punonjës të largohet nga mbledhja nëse ajo bëhet e parëndësishme për të. Steve Jobs nuk ishte gjithë kohën duke punuar pa pushim në zyrë ose në takime të stërzgjatura. Përkundrazi, shumë prej ideve të tij më të mira vinin kur ai dukej sikur nuk po bënte asgjë. Jobs e vononte punën dhe shpesh “humbiste kohën”. Por pikërisht kjo e bënte atë më kreativ. Edhe psikologu Adam Grant mbështet këtë ide, duke theksuar se koha që Jobs kalonte duke reflektuar dhe menduar, ishte thelbësore për të sjellë ide të reja dhe të ndryshme.