Nëse qeveria e Serbisë nuk shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri në mbrëmjen e 28 qershorit, “qytetarët do të jenë gati t’i marrin të gjitha masat ekzistuese të mosbindjes civile”. Kështu paralajmëruan studentët protestues, përpara tubimit të paralajmëruar në Beograd, për datën 28 qershor, ditën kur festohet Vidovdani, që në histori lidhet me Betejën e Kosovës, më 1389-ën.
Kërkesë e dytë e studentëve është ndërprerja e protestës në qendër të Beogradit, ku kundërshtarët e studentëve protestues, të cilët e cilësojnë veten si “studentë që duan të mësojnë”, kanë ngritur kampe prej tre muajsh. Një grup i studentëve protestues, që nga fundi i nëntorit të kaluar ka bllokuar shumicën e universiteteve shtetërore në Serbi, duke shprehur pakënaqësi me situatën socio-politike në këtë vend, pas aksidentit në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
Nga shembja e një strehe betoni, 16 persona kanë humbur jetën. Nga muaji maji, kërkesë kryesore e studentëve në bllokadë është thirrja e zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë që qeveria e re të mund të punojë për përmbushjen e kërkesave të tyre të mëparshme.
Ato përfshijnë: publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, identifikimin dhe ndjekjen penale të atyre që kanë sulmuar protestuesit gjatë tubimeve në të gjithë Serbinë, lirimin e aktivistëve të arrestuar në protesta e ndërprerjen e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Në anën tjetër, “studentët që duan të mësojnë” kanë ngritur kampe përpara Presidencës së Serbisë që nga fillimi i marsit, duke u kërkuar autoriteteve që t’i lejojnë të kthehen në universitete. Ata janë vizituar disa herë nga vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e janë mbështetur edhe nga serbë nga Kosova, përfshirë anëtarë të Listës Serbe.
Ultimatumi i studentëve në bllokadë
Studentët në bllokadë publikuan në mediat sociale një letër të hapur drejtuar qeverisë së Serbisë, përmes së cilës i kërkuan që t’i dërgojë një propozim presidentit për të shpërndarë Parlamentin, me qëllim thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ata thanë se mandati që mori qeveria nga Parlamenti, “nuk e pasqyron situatën aktuale politike në vend”.
Regjimi ka treguar se nuk ka më kapacitet për ta drejtuar vendin përmes krizës më të madhe socio-politike në dekadat e fundit.