Health & Beauty

Studim alarmues: Edhe sasi të vogla alkooli mund të rrisin ndjeshëm rrezikun për kancer?

Për shumë vite është besuar se ekzistojnë kufij “të sigurt” në konsumimin e alkoolit, por shkenca e re po e rrëzon këtë mit.

Sipas një artikulli të publikuar në “The Conversation” nga Dr. Pranoti Mandrekar, profesor në Shkollën e Mjekësisë “UMass Chan”, edhe sasi të vogla të alkoolit mund të kenë pasoja serioze për shëndetin dhe rrisin rrezikun për disa lloje kanceri.

Ekspertët prej kohësh kanë konfirmuar lidhjen mes alkoolit dhe kancerit, veçanërisht atij të orofaringut, ezofagut, mëlçisë, zorrës së trashë dhe gjirit. Por studimet e fundit shtojnë edhe kancerin e pankreasit në këtë listë.

Që në vitin 2000, autoritetet amerikane e klasifikuan alkoolin si një substancë kancerogjene për njerëzit. Në vitin 2012, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e vendosi në kategorinë “kancerogjen i tipit 1”, krahas substancave më të rrezikshme.

Kur metabolizohet nga trupi, alkooli shndërrohet në acetaldehid, një substancë që dëmton ADN-në e qelizave dhe nxit zhvillimin e kancerit. Gjithashtu, ai shkakton stres oksidativ dhe ndërhyn në ekuilibrin hormonal.

Sipas CDC-së, konsumi i përditshëm nuk duhet të kalojë 1 pije për gratë dhe 2 për burrat. Por edhe këto sasi, sipas shkencëtarëve, mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit. Dr. Mandrekar shprehet:

Alkooli është një nga shkaqet më të lehta për t’u shmangur kur bëhet fjalë për kancerin

Kur alkooli kombinohet me duhanin, rreziku i kancerit të gojës, fytit dhe laringut rritet ndjeshëm, pasi substancat kancerogjene të cigareve përthithen më lehtë nga organizmi.

Ekspertët këshillojnë që të gjithë të rishikojnë zakonet e tyre lidhur me alkoolin. Edhe një reduktim i konsumit mund të ketë përfitime të mëdha për shëndetin dhe të ulë ndjeshëm rrezikun për sëmundje serioze si kanceri.