Pirja e përditshme e kafesë ose çajit mund të ndihmojë në mbrojtjen e trurit dhe në uljen e rrezikut për demencë, sipas një studimi të ri shkencor të publikuar në revistën JAMA.
Studiuesit zbuluan se konsumimi i moderuar i kafeinës – rreth dy deri në tre filxhanë kafeje ose një deri në dy filxhanë çaji në ditë – lidhet me një rrezik deri në 18% më të ulët për zhvillimin e demencës, si dhe me ngadalësim të rënies së funksioneve njohëse.
“Kur kërkuam mjete të mundshme për parandalimin e demencës, menduam se diçka aq e përhapur sa kafeja mund të ishte një ndërhyrje premtuese në dietë,” u shpreh Daniel Wang, autor kryesor i studimit dhe profesor në Harvard Medical School.
Studimi përfshiu mbi 130 mijë pjesëmarrës, të cilët u ndoqën për një periudhë deri në 43 vjet. Gjatë kësaj kohe, 11,033 persona zhvilluan demencë. Rezultatet treguan se si te burrat ashtu edhe te gratë, konsumuesit me nivel më të lartë të kafeinës kishin rrezik dukshëm më të ulët krahasuar me ata që konsumonin pak ose aspak.
Përfitimet ishin më të dukshme te ata që konsumonin kafeinë në sasi të moderuara. Ndërkohë, edhe konsumimi më i lartë nuk shoqërohej me efekte negative dhe dukej se ofronte mbrojtje të ngjashme për trurin.
Kafeja dhe çaji përmbajnë përbërës bioaktivë si polifenolët dhe kafeina, të cilët mund të reduktojnë inflamacionin, të mbrojnë qelizat nervore dhe të mbështesin shëndetin njohës.
Megjithatë, autorët theksojnë se studimi është vëzhgues, ndaj nuk mund të provojë lidhje shkak-pasojë. Po ashtu, nuk janë marrë parasysh dallimet në llojin e kafesë apo çajit, mënyrën e përgatitjes apo origjinën e tyre.
Studiuesit nënvizojnë se parandalimi i hershëm është thelbësor, pasi trajtimet aktuale për demencën ofrojnë përfitime të kufizuara pasi shfaqen simptomat.
“Rezultatet janë inkurajuese, por efekti është relativisht i vogël. Kafeja ose çaji mund të jenë vetëm një pjesë e mozaikut për ruajtjen e shëndetit të trurit gjatë plakjes,” përfundoi Wang.