Në Iran, shpërthime të reja u dëgjuan sot në Teheran, si dhe u raportuan në vende të tjera, por nuk pati të dhëna për viktima. Një ditë më parë, ambasadori iranian në OKB, bëri të ditur se 78 persona u vranë e më shumë se 320 u plagosën gjatë sulmeve të mëparshme. Në mëngjes, goditjet izraelite shënjestruan Ministrinë e Mbrojtjes së Iranit, pas sulmeve ndaj mbrojtjes ajrore, bazave ushtarake dhe objekteve të lidhura me programin bërthamor.
Thirrje urgjente për shtensionim
Liderët botërorë kanë bërë thirrje urgjente për shtensionim të gjendjes. Sulmet ndaj objekteve bërthamore vendosin një “precedent të rrezikshëm”, u shpreh ministri i Jashtëm i Kinës. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i hodhi poshtë këto thirrje, duke vënë në dukje se sulmet e deritanishme të Izraelit nuk janë “gjë krahasuar me atë që do të ndiejnë nga forcat tona në ditët në vijim”.
Edhe pse i padeklaruar zyrtarisht, Izraeli është i vetmi shtet me armë bërthamore në Lindjen e Mesme e njoftoi se e nisi sulmin për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i një arme bërthamore. Gjithnjë, Republika Islamike ka pohuar se programi i saj bërthamor është paqësor.
SHBA-të e të tjerë patën vlerësuar se Irani nuk ka synuar zhvillimin e armës atomike që nga viti 2003. Por, Teherani ka pasuruar sasi gjithnjë e më të mëdha uraniumi në nivele që janë afër atyre për prodhim armësh e besohet se mund të zhvillojë disa armë brenda muajsh nëse dëshiron ta bëjë.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike e OKB-së e dënoi Iranin javën e kaluar për mospërmbushjen e detyrimeve të tij.
Irani i quan bisedimet bërthamore “të arsyeshme”
Shteti i Gjirit Arab, Omani, i cili ka ndërmjetësuar bisedime indirekte mes SHBA-ve dhe Iranit për programin bërthamor të Teheranit, njoftoi se raundi i gjashtë i planifikuar për sot, nuk do të zhvillohet.
Ne mbetemi të angazhuar për bisedime dhe shpresojmë që iranianët të kthehen në tryezën e bisedimeve së shpejti, tha një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti.
Araghchi, ministri i Jashtëm i Iranit, deklaroi dje se bisedimet bërthamore nuk janë “të arsyeshme” pas sulmeve të Izraelit, të cilat i quajti “rezultat i mbështetjes së drejtpërdrejtë nga Uashingtoni”.