Supermodelja Gigi Hadid ka reaguar publikisht pasi emri i saj u përmend në dosjet e lidhura me Jeffrey Epstein, duke e cilësuar situatën si të neveritshme dhe tronditëse. Ajo u përmend së bashku me motrën e saj në një shkëmbim emailesh të vitit 2015, por modelja ka theksuar qartë se nuk ka pasur kurrë asnjë lidhje me Epstein.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hadid u shpreh se ishte e vështirë të lexonte komente për veten nga një person që nuk e kishte takuar kurrë, veçanërisht në një kontekst të tillë. Ajo sqaroi gjithashtu se nuk kishte folur më herët për këtë çështje, pasi nuk donte të largonte vëmendjen nga viktimat reale, por ndjeu se ishte e rëndësishme të sqaronte pozicionin e saj pas reagimeve të publikut.
Modelja theksoi se karriera e saj është ndërtuar mbi punë të fortë dhe mbështetje familjare, duke mohuar çdo insinuatë që lidhet me mënyrën se si ajo dhe motra e saj kanë arritur suksesin në industrinë e modës. Përmendja në dokumente lidhet me një koment të bërë nga persona të tjerë në email, ku diskutohej mbi suksesin e motrave Hadid, por pa asnjë provë konkrete për ndonjë lidhje direkte me Epstein.
Ndërkaq, një tjetër projekt i bujshëm televiziv është në zhvillim, duke sjellë në ekran një nga historitë më të diskutueshme të viteve të fundit. Sony Pictures Television po punon për një serial të ri me titull “Perversion of Justice: The Jeffrey Epstein Story”, i frymëzuar nga libri i gazetares Julie K. Brown. Projekti do të hedhë dritë mbi hetimin e saj të gjatë dhe të thelluar mbi financierin kontrovers Jeffrey Epstein. Në këtë produksion, Laura Dern do të mishërojë vetë gazetaren Brown, duke sjellë në ekran përpjekjet e saj për të zbuluar të vërtetën.