Aktorja e njohur amerikane Sydney Sweeney ka treguar për “sfidën mendore” që përjetoi pasi u detyrua të humbiste peshën e shtuar për filmin e saj të ri “Christy”, vetëm pak javë përpara se të rifillonte xhirimet për sezonin e tretë të serialit të famshëm “Euphoria”.
Ylli 27-vjeçar, e nominuar për çmimin Emmy, luan rolin e Christy Martin – boksieres më të famshme amerikane të viteve ’90, në një biografi filmike që tregon historinë e saj të jashtëzakonshme dhe tragjike, përfshirë edhe atentatin ndaj saj nga bashkëshorti në vitin 2010.
Për t’u përgatitur për rolin, Sydney iu nënshtrua një regjimi të ashpër stërvitjeje me tre seanca në ditë për tre muaj, duke shtuar rreth 14 kilogramë.
E ndjeja veten më të fortë dhe plot jetë
– ka thënë ajo për “The Guardian”.
Por, menjëherë pas përfundimit të xhirimeve, Sweeney duhej të hiqte peshën në vetëm shtatë javë për t’u rikthyer në formën e personazhit të saj në Euphoria, Cassie Howard.
Duhej të ndaloja gjithçka dhe të humbisja peshën. Ishte një sfidë mendore e madhe dhe ndjeva një lloj ‘tërheqjeje’ fizike nga fakti që nuk mund të stërvitesha më aq shumë, një rënie të çuditshme serotonine
-rrëfeu ajo.
Sipas aktores, për të arritur peshën e boksieres (rreth 61–62 kilogramë), ajo ndiqte një dietë të ngarkuar me proteina, ku përfshiheshin edhe ushqime të shpejta si sanduiçët e ngrirë “Uncrustables”, “Chick-fil-A”, milkshake dhe shumë suplemente ushqyese.
Bashkë-ylli i saj në film, aktori Ben Foster (45 vjeç), i cili luan rolin e burrit abuziv të Christy Martin, tregoi me humor se Sydney fillimisht kishte menduar që mjekra e tij e fryrë ishte prostetikë.
Më preku mjekrën dhe më tha: ‘Prostetika duket shumë reale’, ndërsa unë i thashë: ‘Nuk është prostetikë, është peshë e vërtetë!’
– kujtoi ai.
Në një intervistë tjetër për “Deadline”, Sydney pranoi se e kishte dashur procesin e transformimit fizik:
E ndjeva fuqinë e Christy-t ndërsa ndryshoja trupin tim. Ishte frymëzuese dhe më bëri të kuptoj sa e fortë ishte ajo në të vërtetë.
Filmi “Christy”, që pritet të dalë në kinema më 28 nëntor në Mbretërinë e Bashkuar, ka marrë tashmë 72% vlerësime pozitive në Rotten Tomatoes dhe është cilësuar si një nga performancat më të fuqishme të Sweeney-t deri më tani – madje disa kritikë e quajnë “të denjë për Oscar”.
Christy Martin vetë, e cila mori pjesë në Festivalin e Filmit në Toronto përkrah Sweeney-t, e përshkroi aktoren si një “perfeksioniste absolute”:
Ajo ishte jashtëzakonisht serioze për boksin dhe donte që gjithçka të ishte sa më reale, veçanërisht skenat e dhunës në familje
– tha Martin.
Pas suksesit të filmit, Sydney u shfaq në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit BFI në Londër, ku tërhoqi gjithë vëmendjen me një fustan elegant “Alexander McQueen” ngjyrë rozë, ndërsa fansat dhe kritikët janë të bindur se kjo është periudha më e fortë e karrierës së saj.