Bota

Takimi i G7-ës në Kanada, fokusi te Ukraina dhe lufta tregtare me Amerikën!

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio do të takohet me homologen kanadeze, sot në takimet e G7-ës, por diskutimet mbi kërcënimet amerikane për aneksim, nuk pritet të jenë pjesë e bisedimeve. Parashikohet që takimet të dominohen nga përpjekjet për të arritur armëpushim në Ukrainë. Në Kanada, Rubio shkoi një ditë më parë, për takime me ministrat e Jashtëm të grupit të 7 vendeve më të industrializuara (G7).

Ai pritet të njoftojë homologët lidhur me përpjekjet amerikane për një armëpushim në luftën trevjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi delegacionet e Shteteve të Bashkuara e Ukrainës u takuan më herët gjatë javës në Arabinë Saudite.

Presidenti amerikan, Donald Trump shpreson që negociatorët amerikanë në Moskë do të jenë në gjendje të arrijnë një armëpushim. Zyrtarët thanë se “Amerika dëshiron që Rusia të pajtohet për një ndalim të pakushtëzuar të armiqësive”.

Nga Kremlini deklaruan se po presin të mësojnë detajet nga armëpushimi i propozuar. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u shpreh se vendi i tij është i gatshëm ta pranojë marrëveshjen ndërsa Uashingtoni sinjalizoi se do të përgjigjet “ashpër” nëse Rusia e refuzon propozimin amerikan për armëpushim.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha se G7-ta duhet të përqendrohet në atë që “të sigurohet që Ukraina është në pozicionin më të fuqishëm për të arritur një paqe të drejtë e afatgjatë”. Kryediplomatja kanadeze, Melanie Joly, u shpreh se pret që bisedimet me Rubion të përqendrohen “te Ukraina dhe armëpushimi që është prezantuar”.

Por, kur u pyet rreth deklaratave të Trump-it lidhur me dëshirën që ta bëjë Kanadanë pjesë të SHBA-ve, Joly iu tha gazetarëve se “sovraniteti kanadez nuk është i negociueshëm”. Gjatë një ndalese në Irlandë, rrugës për në Kanada, Rubio u shpreh se takimi e G7-ës “nuk është një takim për atë se kush do të marrë kontrollin e Kanadasë”.

Veprimet e Trump-it që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, në janar kanë lëkundur raportet e Uashingtonit me aleatët tradicionalë. Dje hynë në fuqi tarifat prej 25% të SHBA-ve ndaj importeve të çelikut e aluminit, duke shtyrë partnerët kryesorë tregtarë të Uashingtonit të prezantojnë kundërmasa.

Bashkimi Europian vendosi kundërmasa ndaj mallrave amerikane e që do të hyjnë në fuqi në prill. Ndërkaq, Kanadaja njoftoi se do të vendosë tarifa shtesë ndaj produkteve amerikane në vlerë 20.7 miliardë dollarë, tarifa që nisin të zbatohen nga sot.