Bota

Tarifat do të pezullohen? Reagon Shtëpia e Bardhë: Fake news

Tregjet amerikane ranë në hapje sot e më pas patën një rritje të çuditshme, për një kohë të shkurtër.

Arsyeja sipas disa raportimeve, ishin spekulimet se një këshilltar i lartë i administratës Trump, që thuhet se ishte Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar Kevin Hassett, kishte pretenduar se presidenti mund të konsideronte një pauzë 90-ditore të tarifave.

Raportimet u shfaqën fillimisht përmes kanalit amerikan të lajmeve të biznesit CNBC.

Shtëpia e Bardhë i ka thënë CNBC se çdo informacion për një pauzë 90-ditore është “lajm i rremë”.

“Aksionet patën një rritje jetëshkurtër menjëherë pas hapjes që e çoi mesataren industriale të Dow Jones në territor pozitiv. Spekulimet për një pauzë tarifore qarkulluan në katet e tregtimit dhe mediat sociale dhe mund të kenë kontribuar në këtë shpërthim”, tha NCBC.

Cilado qoftë e vërteta, është një shembull i efektit që mund të kenë thashethemet në treg.

Aksionet globale u tronditën, ndërsa bota vazhdoi të reagojë ndaj tarifave globale të Donald Trump.

Tregjet e aksioneve në Azi, Evropë dhe SHBA ranë ndjeshëm në përgjigje të politikës tarifore të Trump, me tregun amerikan që po përballet me shtrirjen më të keqe dyditore që nga viti 2020.

Më parë, Kina – e cila përballet me një taksë importi prej 54%, tha se do të vendoste një tarifë hakmarrëse prej 34% për mallrat amerikane duke filluar nga 10 prilli.