Në një kohë kur shoqëria jonë është gjithnjë e më e përqendruar tek jetëgjatësia dhe cilësia e jetës, një studim i ri sjell një qasje të thjeshtë, por domethënëse, për të vlerësuar shëndetin dhe perspektivën e jetës sonë.
Sipas “European Journal of Preventive Cardiology”, testi i njohur si ulja dhe ngritja (SRT) mund të ndihmojë për të parashikuar rrezikun e vdekshmërisë.
Studimi është publikuar për herë të parë në “Men’s Journal” më 20 qershor 2025.
Si funksionon testi?
Pjesëmarrësve u kërkohet të ulen në tokë me këmbët e kryqëzuara dhe më pas të ngrihen, duke përdorur sa më pak mbështetje të jetë e mundur.
Studiuesit në Klinikën e Mjekësisë së Ushtrimeve në Rio de Janeiro përfshinë në këtë hulumtim 4,282 të rritur të moshës 46 deri 75 vjeç.
Performanca e tyre u ndoq gjatë një periudhe 12-vjeçare.
Rezultatet treguan qartë një lidhje mes pikëve në test dhe rrezikut të vdekjes: vetëm 3.7% e atyre që arritën 10 pikë vdiqën brenda kësaj periudhe, ndërsa kjo shifër shkonte në 42.1% për ata që shënuan midis 0 dhe 4.
Çfarë zbuluan studiuesit?
Pjesëmarrësit me rezultate të ulëta kishin 3.8 herë më shumë gjasa të ndërronin jetë nga shkaqe natyrore dhe rreth gjashtë herë më shumë rrezik të vdisnin nga probleme kardiake, pavarësisht faktorëve të tjerë si pesha, mosha apo gjendja e përgjithshme shëndetësore.
Edhe pse një rezultat i lartë nuk garanton domosdoshmërisht jetëgjatësi, ekspertët theksojnë se ky test mund të jetë një mjet i vlefshëm për mjekët për të përshtatur programet e aktivitetit fizik dhe për të kuptuar më mirë gjendjen e përgjithshme të pacientëve të moshës së mesme dhe të moshuar.