Policia e Shtetit arrestoi dy vëllezër, të cilët do të ekstradohen drejt Italisë, pasi janë dënuar në vendin fqinj për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Në njoftimin zyrtar thuhet se në pranga ranë Saimir e Roland Metushi të moshave 45 e 47 vjeç.
Materialet procedurale mbi arrestimin provizor të këtyre shtetasve, me qëllim ekstradimin e tyre në Itali, u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Itali.
Njoftimi policor:
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 64”.
Në kuadër të operacionit, u bë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Itali, i shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar: R.M., 47 vjeç, dhe S.M., 45 vjeç (vëllezër), të dy banues në Divjakë.
Gjykata e Novarës, Itali, në muajin tetor 2024, e ka dënuar shtetasin S.M., me 7 vjet burgim, ndërsa shtetasin R.M., me 5 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Materialet procedurale mbi arrestimin provizor të këtyre shtetasve, me qëllim ekstradimin e tyre në Itali, u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Itali.