I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologu Eduart Tafa. Ai ka folur më shumë për besëtytnitë, magjinë e zezë, fallxhoret dhe pse shqiptarët vendosin që t’i besojnë kaq shumë…
Pse njerëzit i besojnë kaq shumë besëtytnitë dhe thonë se disa veprime në dukje normale, mund të konsiderohen si ters?
Jemi rritur në familje që na kanë thënë ‘mos e bëj këtë sepse është keq’. Po të marr një shembull. Mua më ka ndodhur personalisht, që mund të kisha një nisje të hershme në mëngjes për të ikur jashtë vendit, duke prerë thonjë, më kanë thënë ‘kujdes kur i pret thonjtë se në mbrëmje është keq’. Duke qenë se ne nuk e kemi plotësinë dhe vërtetësinë e këtij informacioni, normalisht bëjmë një pyetje “Po pse është keq?” “Po kështu kanë thënë të parët tanë.” Po të parët tanë nga e kanë marrë si informacion? Ua kanë thënë të parët e tyre. Po fakti që ua kanë thënë, jo domosdoshmërisht është e vërtetë. Po të hulumtosh pak në linjën e psikologjisë dhe besëtytnive për prerjen e thonjve, gjendet diku një mënyrë shpjegimi, por jo teori e vërtetësisë. Po një shpjegim eventual është që në kohët më përpara, pra dekada apo shekuj më përpara, duke qenë se njerëzit jetonin pa drita, në mbrëmje nuk lejohej prerja e thonjve apo çdo gjë tjetër që mund të përdoret brisku, sepse është errësirë dhe mund të dëmtoje ose krijoje një plagë në trupin tënd dhe kjo krijonte gjakderdhje dhe probleme shëndetësore.