Health & Beauty Lifestyle Live From Tirana

“Mund të jetë ngjitëse”/Psikologu Eduart Tafa: Nëse rrethoheni nga psikovampirët…

BEST OF LIVE FROM TIRANA

I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologu Eduart Tafa. Ai ka folur më shumë për psikovampirët, të cilët rrëmbejnë energjinë tonë. Si mund t’i mbajmë larg ata sipas psikologut?

Si mund t’i identifikojmë psikovampirët dhe si mund të mbrohemi?

Duhet të sqarojmë që psikovampir mund të jetë kushdo pranë nesh, por dhe ne mund të jemi vetë psikovampir në momente të caktuara. Jo domosdoshmërisht është sëmundje, kryesisht lidhet me komponentin emocional të personit, komponent i pavetëdijshëm, i cili mund të jetë i shtypur në fëmijëri. Do të themi një të vërtetë të hidhur por që është shumë e rëndësishme, që të gjithë personat që janë të rrethuar nga psikovampirët, që ‘kafshohen’ nga këta psikovampirë, edhe ata mund të kthehen në të tillë në mënyrë të pavetëdijshme. Detryrimisht, të jesh me një psikovampir gjatë gjithë kohës, duhet të dimë se në çfarë mikromjedisi bën pjesë. Se mund të jetë familjari, ai komshiu, personi që ti pin kafen tek lagjja, kamerieri, mund të jetë ambienti i punës, mund të jetë kushdo. Nuk është një term i kufizuar, është gjithëpërfshirës, që mund të jetë kushdo. Identifikimi më i qartë është, kur personi sapo ti hap telefonin, apo sapo e takon, nuk heziton që në mënyrë të menjëhershme, në pak minuta të thotë të gjithë problematikat e javës, nëse ti ke një javë pa u takuar me të, dhe e dominon këtë kohë në mënyrë të tmerrshme. Pra gjatë gjithë kohës ti je një person dëgjues, ti je një person pasiv, ke përpara një person totalisht agresiv në mënyrën verbale të tij. Gjatë gjithë kohës duke thënë vetëm shfryrjet e veta, pasiguritë e veta, problemet e veta, konfliktet e veta që mund të ketë me dikë. 

Si bëhet diferenca mes dikujt me të cilin ‘po qan hallet’ dhe një psikovampiri?

Psikovampiri nuk ka tolerancë në bisedë dhe nuk ka një kufi të qartë. Gjithmonë tenton të marrë pozicionin e vëmendjes së tij. Çdo lloj gjestikulacioni apo shqise, është mjet komunikimi dhe nuk përdoret në masën e duhur në atë formë të shëndetshme që ne duam. Ne duhet të bëjmë identifikimin e psikovampirit për të kuptuar se si ai lëviz dhe mënyrën se si manifestohet në tavolinë. Për shembull, ka një psikovampir që është psikovampiri i sjellshëm. Secilit prej nesh mund t’i ketë rastisur një person që duket se është jashtëzakonisht shumë i sjellshëm, por të kthehet në një person që të konsumon shumë energjinë tënde. Ti me këtë psikovampir mund të jesh në kafe, ose për të ngrënë një drekë, ti e pyet se çfarë ka ndërmend të marrë, çfarë i shijon më tepër, ai menjëherë të thotë “çfarë do marrësh ti? Çfarë të duash ti do marr dhe unë.” Ikën 5 minuta, ikën 10 minuta, dhe në momentin që ti bën porosinë, kur ai ka krijuar një ndërvarësi nga porosia jote, në momentin që e provon, thotë “nuk qenka e mirë dhe zgjedhja ishte e jotja”. Pra është tendenca për të fajësuar tjetrin. Kemi edhe një lloj psikovampiri tjetër që në bazë të qasjes gjen dhe përkufizimin, për shembull në Evropë quhet psikovampiri social, tek ne ka një lloj psikolampiri që quhet ‘hund’. Pra nga vetë emërtimi, i fut hundët në punët e të tjerëve. Pra të gjithë këta persona që kur janë në tavolinë, vazhdojnë të flasin për persona të dytë dhe të tretë, të njohur apo të panjohur për ne, që gjatë gjithë kohës kanë një interes të shtuar ndaj tyre.