BEST OF LIVE FROM TIRANA
I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologu Eduart Tafa. Ai ka folur më shumë për psikovampirët, të cilët rrëmbejnë energjinë tonë. Si mund t’i mbajmë larg ata sipas psikologut?
Si duhet të mbrohen vajzat nga marrëdhënia me një narcist?
E para duhen identifikuar dhe më pas të nisë tërheqja dhe mbrojtja ndaj tyre. Është shumë e rëndësishme për t’u identifikuar. Kanë një cilësi të jashtëzakonshme për të maskuar vetveten në fillim. Dhe këtë cilësi e kanë të jashtëzakonshme, prandaj e bën më të vështirë zbulimin e tyre të menjëhershëm. Janë me fat ata persona që kanë një person tjetër afër që u do të mirën. Zakonisht narcizisti e njeh shumë mirë personin që e ka përballë, që ai mund ta quajë ‘dashurinë e tij’, nëse e marrim në formën e një marrëdhënie për të parë se si sillet narcizisti në një marrëdhënie. Narcizisti i kupton shumë mirë pikat e dobëta që ka personi, por para se ai të shypë këto butonat emocionalë që personi përballë ka, krijon një terren shumë të sigurtë dhe mbrojtës, për të bindur personin, që ai është dikush që nuk e ka takuar ndonjëherë në jetë. Sepse e gjithë sjellja e tyre, e gjithë veprimtaria e tyre, i gjithë suksesi i tyre, bazohet mbi partneren. Një narcizist mashkull bën çdo gjë për partneren e vet në fazën fillestare të marrëdhënies së tyre. Nëse ajo ka një punë të mirë, profesion, një shoqëri, përpiqet që t’i sigurojë çdo gjë, që ajo të heqë dorë nga gjërat që ka. Këtë e bën jo thjesht nga dashuria, por e bën në një mënyrë strategjike për ta futur në habitatin e vet, në kufirin e vet, që të ketë më tepër dominancë dhe kontroll. Në momentin që ka arritur që ta heqë nga të gjithë gjërat e veta, ta çaktivizojë nga jeta e saj sociale, ekonomike, profesionale, më pas fillon dhe shfaq veten e vet. Çdo moment që ai krijon një presion tepër të madh mbi partneren e vet, e bën sepse ka favorin dhe duke i treguar që ka bërë gjithçka për të. Sa herë që ka një debat, ose ka diçka që do ta përfitojë medoemos nga partnerja e tij dhe ajo bën rezistencë, ai menjëherë i tregon të gjithë gjërat që ka bërë, të gjithë sfidat që ka pasur, të gjithë sakrificat që ka bërë që partnerja të arrijë deri në këtë pikë. Praktikisht, ato lehtësira që ai fillon në fillim, janë një vështirësi shumë e madhe, një mal shumë i lartë për t’u ngjitur pastaj nga partnerja, sepse qëllimi është që ta bindë që pa këtë partner që është narcizist, nuk mund të ecë dot përpara. Dhe arrin merr kontrollin e saj psikik, emocional dhe detyrimisht fillon dhe kufizimet sjellore që personi më pas e ka tejet të vështirë. Këta janë manipulues emocionalë të cilët e ulin energjinë.