I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë kreu i Lëvizjes Bashkë, kandidat për Kryetar Bashkie i Tiranës, Arlind Qori. Ai ka folur më shumë për zgjedhjen për t’iu kushtuar politikës dhe çfarë shpreson ai të ndryshojë në shoqëri…
Ju, Endri Shabani, Adriatik Lapaj, jeni me të vërtetë të rinjtë e varfër që duan të ndryshojnë Shqipërinë, apo të rinjtë e varfër që dëshironi të pasuroheni?
Unë nuk e di si janë zotërinjtë e tjerë në jetën e tyre personale. Unë vetë nuk jam i varfër, i përkas shtresës së mesme. Unë thjesht them që marr autobusin, vetëm kaq.
Në raport me të tjerët që dalin në media dhe synojnë të drejtojnë poste të ndryshme, jeni modest…
Njeri i shtresës së mesme dhe modest.
Përdorni shumë pak veshje. E bëni me kast apo keni një staf PR që ju sugjerojnë të dilni kështu?
Stafi im i PR është ime shoqe, e cila bën ç’është e mundur që të kontribuojë sa më mirë në veshjen time. Por unë jam pak nopran.
A është i rëndësishëm imazhi për të drejtuar një institucion?
Unë mendoj që jo. Institucioni do njerëz të ndershëm, kompetentë, të guximshëm.
I keni parë ministrat e kabinetit Rama që disa prej tyre vishen me brende të njohura?
Nuk i kuptoj, sepse janë aq të largëta nga njohuritë e mia dhe nga jeta ime, sa që unë as nuk e kuptoj. Nuk i njoh, mund të kem dëgjuar 2-3.
Nuk e di çfarë është një rrip Hermes? Nuk i njeh fare këto brende?
Jo, të betohem që jo. Nuk e di ku i gjejnë paratë ata politikanë që blejnë kaq shpesh.