Debati për Teatrin Kombëtar u zhvendos në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Këshilltarët e Partisë Demokratike e të Lëvizjes Socialiste për Integrim u larguan nga mbledhja e sotme, pasi në fillim të saj, kërkuan që rendi i ditës të përfshinte dhe diskutimet për Teatrin. Kreu i Grupit të Këshilltarëve Demokratë, Kreshnik Çollaku akuzoi socialistët se po uzurpojnë pronën publike dhe po shkelin Kushtetutën. Në rend dite, janë 17 pika, ndër të cilat miratimi i ndihmës sociale për qytetarët e Tiranës. Ndërkaq, Mirela Bogdani e FRD-së së Bamir Topit iu bashkua opozitës në Këshillin Bashkiak, siç tha, “Për shkak të sjelljes arbitrare të Erion Veliajt me çështjen e Teatrit”.