Mbi 620 njerëz humbën jetën e më shumë se 1 mijë e 500 mbetën të plagosur nga një tërmet me magnitudë 6, në provincën verilindore të Afganistanit, Kunar. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar mes rrënojave. Sipas raportimeve të para, vetëm në një fshat janë gjetur 30 viktima, por shifrat e sakta nuk dihen ende, pasi bëhet fjalë për një zonë të thellë malore me fshatra të shpërndarë. Ka njoftime për tre fshatra të shkatërruar plotësisht.
Tërmeti ra në mesnatë, në një thellësi 10 kilometra, duke shkatërruar shtëpitë prej balte dhe guri në kufi me rajonin Khiber Paktunkva të Pakistanit. Një tërmet tjetër, me magnitudë 4.5, goditi rajonin rreth 20 minuta më vonë, i ndjekur nga një lëkundje me magnitudë 5.2, sipas Qendrës gjermane të Kërkimeve për Gjeoshkenca (GFZ).
Qeveria e udhëhequr nga talibanët bëri thirrje për ndihmë urgjente nga organizatat ndërkombëtare. Në X, raportoi se tërmeti ka shkaktuar “humbje jetësh e dëme materiale në disa provinca lindore”.
Numri i viktimave dhe i të plagosurve është i lartë, por për shkak se zona është e vështirë për t’u arritur, ekipet tona janë ende në terren, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Sharafat Zaman.
Situata paraqitet e vështirë pasi rajoni i goditur nga tërmeti ende ishte duke u përballur me pasojat e përmbytjeve të fundjavës e që përfshinë provincat Nangarhar e Kunar, duke shkaktuar vdekjen e të paktën pesë personave. Po ashtu, shkaktuan rrëshqitje dheu, dëmtuan infrastrukturën e përkohësisht bllokuan qarkullimin mes Pakistanit dhe Afganistanit.
Sidomos në vargmalin Hindu Kush, Afganistani goditet shpesh nga tërmetet. Numri i viktimave është tejet i lartë për shkak të standardeve të dobëta të ndërtimit, vendeve të largëta dhe vështirësisë për t’u ofruar ndihmë të prekurve.