Aktualitet Politikë

“Territorialja”, Balla-opozitës në Kuvend: Presim përgjigje deri në darkë!

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, në fjalën e mbajtur në Kuvend akuzoi opozitën për paqartësi dhe qëndrime kontradiktore lidhur me bojkotin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.

Balla deklaroi se opozita ka ndryshuar qëndrim brenda 24 orëve, duke theksuar se nuk ka një vendim të qartë për pjesëmarrjen në mbledhje. Ndërkaq, vuri në dukje se maxhoranca është e gatshme të vijojë punën e komisionit, pa ndryshuar përbërjen, nëse opozita angazhohet të marrë pjesë rregullisht në mbledhje.

Sot shoh që jeni tërhequr nga ajo që keni vendosur dje. Këta nuk janë tërhequr nga bojkoti. Jeni aq kakofonikë sa për një çështje çoheni dy veta, deklaroi Balla.

Balla shtoi se mbledhja e komisionit nuk mund të zhvillohet pa kuorumin e nevojshëm dhe i kërkoi opozitës një përgjigje përfundimtare.

 Ju angazhoheni që të merrni pjesë rregullisht në mbledhjet e komisionit të posaçëm? Nëse na thoni që do vini në mbledhje, nuk ka nevojë të ndryshojmë asgjë. Na e thoni këtë deri në darkë. Do presim deri në darkë dhe pastaj do vendosim.