Tesla zgjeron fabrikën evropiane, pavarësisht rënies së shitjeve. Tesla po vazhdon të zgjerojë fabrikën e saj në Evropë, edhe pse kompania po përballet me një rënie të shitjeve. “Ky është një përgatitje për rritjen e mëtejshme të prodhimit në fabrikë”-deklaroi Alexander Riederer, drejtues i zhvillimit të biznesit, për Bloomberg. Së fundmi u publikua lajmi se kompania kineze BYD e kishte kaluar Teslën në shitje në tregun evropian gjatë muajit prill.
Aktualisht, Tesla ndodhet në një pikë kthese. Shumë po pyesin nëse rënia e shitjeve është e përkohshme, apo nëse klientët do të rikthehen pasi drejtori ekzekutiv Elon Musk të ketë zbutur aktivitetin e tij politik në SHBA. Pavarësisht vlerësimeve dhe pasigurive, Tesla ka nisur zgjerimin e fabrikës së saj në Grünheide, pranë Berlinit. Aktualisht, kjo fabrikë ka kapacitetin për të prodhuar 5000 njësi të Modelit Y në javë.
Me zgjerimin, prodhimi pritet të dyfishohet, ndërsa fabrika do të përfitojë edhe nga përmirësime në logjistikë dhe një kapacitet më i madh për prodhimin e baterive. Ndërkohë, politikanët në landin gjerman ku ndodhet fabrika e Teslës po inkurajojnë publikun që të blejnë sërish automjete të kësaj marke. Në Gjermani, mbështetja publike e Elon Musk për partinë e djathtë ekstreme AfD ka ngjallur shumë reagime. Shumica e konsumatorëve të Teslës nuk i përkasin spektrit politik të ekstremit të djathtë.
Shitjet e Tesla-s vazhdojnë të bien në të gjithë Evropën, edhe pse blerësit e makinave atje blejnë gjithnjë e më shumë automjete elektrike. Shitjet e Tesla-s ranë ndjeshëm në prill në Mbretërinë e Bashkuar, Holandë, Danimarkë dhe Portugali, si dhe në Suedi dhe Francë, sipas shifrave mujore të shitjeve. Ashtu si në Shtetet e Bashkuara, politika e drejtorit ekzekutiv të Tesla-s, Elon Musk, ka frymëzuar reagime dhe protesta në të gjithë Evropën.