Bota Tech

TikTok ‘u mori jetën’ dy vajzave të mitura, familjet padisin platformën e mediave sociale!

Familjet e dy vajzave të mitura, të cilat dyshohet se ndërruan jetë si rezultat i një sfide virale në TikTok, kanë paditur platformën e mediave sociale, duke pretenduar se algoritmet e saj “të rrezikshme” janë fajtorë për vdekjen e fëmijëve të tyre. Prindërit e dy vajzave që vdiqën në vitin 2021 ndërsa ishin duke bërë një sfidë inkurajonte përdoruesit të mbyten derisa të humbnin ndjenjat, ngritën një padi së fundmi në gjykatën e lartë të qarkut të Los Anxhelosit.

Të përfaqësuar nga Qendra Juridike për Viktimat e Mediave Sociale (SMVLC), ata pretendojnë se algoritmi i rrezikshëm i platformës i ka shtyrë me dashje dhe në mënyrë të përsëritur videot e sfidës në feed-in e fëmijëve, duke i nxitur të marrin pjesë në sfidën që u mori jetën. Matthew P Bergman, avokat themelues i SMVLC tha se:

TikTok duhet të mbajë përgjegjësi për nxitjen e përmbajtjes vdekjeprurëse për këto dy vajza të mitura. TikTok ka investuar miliarda dollarë për të dizajnuar qëllimisht produkte që nxisin përmbajtje të rrezikshme që ai e di se janë të rrezikshme dhe mund të sjellin vdekjen e përdoruesve të tij.

Një prej viktimave, 8-vjeçarja Lalani Erika Renee Walton nga Temple, Teksas, ndërroi jetë më 15 korrik 2021. Policia përcaktoi se vdekja erdhi si një rezultat i drejtpërdrejtë i përpjekjes për ‘blackout challenge’ të TikTok. Ajo shpesh postonte video të saj duke kënduar dhe kërcyer, me shpresën për t’u bërë e famshme në TikTok dhe po për të njëjtën arsye u bë pjesë e sfidës.

Viktima tjetër në padi, 9-vjeçarja Arriani Jaileen Arroyo nga Milwaukee, Wisconsin, mori një telefon kur ishte shtatë vjeçe dhe përdorte TikTok disa herë në ditë, sipas ankesës. Ajo gradualisht u bë obsesive për postimin e videove të kërcimit në TikTok dhe u bë e varur nga aplikacioni. Në janar 2021, familja e Arrianit diskutoi me të një incident të një përdoruesi të ri të TikTok që kishte vdekur si rezultat i një sfide, por Arriani i siguroi ata se ajo kurrë nuk do të merrte pjesë në video të rrezikshme. Megjithatë, më 26 shkurt 2021, ajo u gjet e pajetë nga vëllai i saj 5-vjeçar.

Padia liston një numër ankesash kundër TikTok, duke përfshirë atë që algoritmi i tij promovon përmbajtje të dëmshme, lejon përdoruesit e mitur në aplikacion dhe nuk i paralajmëron përdoruesit ose kujdestarët e tyre ligjorë për natyrën problematike të aplikacionit. Familjet Walton dhe Arroyo po kërkojnë një shumë të papërcaktuar si dëmshpërblim. Rikujtojmë, se një anëtar i Komisionit Federal të Komunikimeve i ka bërë thirrje Apple dhe Google për të hequr TikTok nga aplikacionet AppStore dhe PlayStore, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare që rrethojnë kompaninë mëmë me bazë në Kinë të TikTok, ByteDance.