Tirana ka regjistruar sot barazimin e 12 të këtij sezoni, në vetëm 17 ndeshje të luajtura. Një bilanc i pabesueshëm i bardhebluve, të cilët regjistruan të katërtin radhazi, të tretin pa shënuar gola.
Përballë tyre sot ishte Teuta, një kundërshtar direkt me të cilin bardheblutë luftojnë për t’iu larguar zonës së ftohtë e për të synuar katërshen e parë. Por me atë që shfaqen sot në fushë, të dy skuadrat duken shumë larg këtyre pretendimeve.
LEXO EDHE: Briken Calja renditet i katërti në Botërorin e Peshngritjes
Në pjesën e parë kishte raste me pikatore nga skuadrat, ndërsa në të dytën, ishte Tirana më kërkuese për të gjetur golin. Por paqartësia e dukshme para portës e të dy ekipeve bëri që sfida të mbyllej me një barazim pa gola, që nuk ndryshon shumë situatën e dy skuadrave në klasifikim, përveçse lejon edhe më shumë shkëputjen nga katërshja e parë e cila duket e pakapshme për momentin prej tyre.
Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, mendon se skuadra e tij bëri gjithçka mirë në ndeshjen ndaj Teutës, por i mungoi vetëm goli:
“Sot në fakt, duke pasur parasysh që rezultatet e fundit nuk i kemi pozitive, se për shkak të pozicionit në renditje që nuk është fare i mirë, u futëm për të marrë tre pikët. Rrezikuam me vendosjen në fillim, bëmë skuadër mese ofensive. Por e nisëm keq lojën, në minutat e parë nuk patëm kontroll e stabilitet, ndryshuam diçka në vende. Pjesa e parë nuk ishte shumë e mirë për ne, ishte e balancuar. Bëmë ndërrimet që pamë të arsyeshme. Pjesa e dytë ishte me temp nga të dy skuadrat, skuadra jonë përveç shënimit të golit, ka bërë gjithçka shumë mirë. Përgëzoj çunat për kontributin, dua të veçoj edhe portierin kundërshtar që ishte në një ditë të mirë sot.
Jonuzi i ka bërë ndeshjet të gjitha 100%. Ai ishte i lodhur dhe ka pasur një problem në fakt, ka qenë lodhja se e kam pasur lojtar kryesor sa kam drejtuar unë.
Në shumicën e rasteve në pjesën e parë, patëm probleme në mesfushë se luanim me dy lojtarë, Dembele që nuk është në pozicion natyral se kemi mungesë në mesfushë, si dhe Soler që në shumicën e rasteve luan edhe si 8. Nuk pat koordinim të mirë mes tyre. Bajroviç nuk u përshtat si sulmues i dytë. Dua të them edhe për Abah, i cili ka bërë një ndeshje shumë të mirë me Skënderbeun, nuk ishte në ditën e tij më të mirë. U munduam të bënim ndërrimet dhe në pjesën e dytë ishte e kontrolluar nga ne edhe në aspektin taktik.
Haxhiu është lojtar që ka pikë më të fortë pjesën sulmuese se sa mbrojtëse. E vendosëm mbrojtës të djathtë me qëllim të kishte një farë koordinimi që të dilte përpara në superioritet numerik me mbipozicion. Mendoj se nuk u përshtat dhe bëmë ndërrimet. Kaluam Abelin nga e majta, se është lojtar që luan nga të dy krahët. Nga e majta po sulmonte kundërshtari dhe nuk ishte lexim i mirë i yni. Nuk kalova në aventurë, kam dërguar lojtarët që kanë luajtur në ato pozicione. Por ka momente që ky është rrezikim. Ndaj menduam për ndryshime në pjesën e dytë që funksionoi mirë. Bëmë gjithçka sot, mungoi vetëm goli”, tha Magani.
Pas ndeshjes foli edhe trajneri i durrsakëve, Edi Martini: “Mendoj se ishim më mirë se Tirana, sidomos në pjesën e parë. Bëmë një tërheqje mbrapa dhe prej kundërshtarit sepse Përgjoni u fut në qendër. Prengaj na prishi punë. Ne kishim ardhur sot për të fituar ndeshjen. Je i kënaqur se luajtëm kundër Tiranës në Tiranë, më mirë kështu se një humbje dhemb, sidomos për gjendjen e lojtarëve. Pas ndeshjes i pashë djemtë e mërzitur sepse kishin mundësi dhe donin ta fitonin ndeshjen.
Dhe në momentet që Tirana na vendosi poshtë, gjendja e Arifit dhe Torrajt ra. Them që duhet të bënim më mirë, sidomos para portës. Si me Llocin ose Preknicën, që mund të shënonim dhe të merrnim 3 pikët. Më vjen inat sepse në pjesën e parë kishim shumë raste ku Torrja dhe Arifi na dilnin të lirë. E kuptoj që nervoziteti. Më vjen keq për ato raste se ishim shumë herë në superioritet numerik. Sidomos në pjesën e parë, na mungon pasi i fundit dhe qetësia para porte. E kuptoj dhe nervozitetin e lojtarëve në fushë.
Superiorja ka mbyllur javën e 17-të të saj. Tashmë ka një kryesues të ri në elitën e futbollit shqiptar, pasi Partizani i ka lënë “fronin” Egnatias.
“Demat” humbën ndaj Bylisit në transfertë, teksa rrogozhinasit mposhtën Skënderbeun. Vllaznia me fitoren e marrë ndaj Elbasanit, ka përfituar nga barazimi i Dinamos në Laç për të barazuar dinamovitët me pikë. Tirana dhe Teuta ndërkohë u ndanë në barazim pa gola në stadiumin “Arena Kombëtare”. Gara për mbijetesë ka ndryshuar, pasi Laçi me pikët e marra në javët e fundit ndodhet në vendin e shtatë. Në anën tjetër Bylisi ka zbritur Skënderbeun në vendin e fundit.