Të dyshuar për trafik armësh, dy persona ranë në prangat e bluve në Tiranë e një tjetër u shpall në kërkim, që të tre nga Shkodra. Në brendësi të një televizori kishin fshehur një armë zjarri të pajisur me silenciator e të ndarë në pjesë me qëllim trafikimin drejt Anglisë. Hetimet po vijojnë për arrestimin e të tjerë të përfshirëve.
Televizori ishte ngarkuar në një kamion, që u ndalua për kontroll në zonën e “Bulevardit të Ri” në Tiranë dhe mësohet se shoferi nuk ka pasur dijeni për armën.
Në pranga ranë Jurgen Suca 26 vjeç e Segest Meti 20. Ky i fundit rezulton i dënuar në Angli për plagosje me thikë në Basingstoke, ngjarje e ndodhur më 13 janar të vitit të kaluar. Gjithashtu ka qenë çiklist me ekipin e Vllaznisë.

Njoftimi policor:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Metoda”. Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Anglisë. Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë me silenciator, e ndarë në pjesë dhe e fshehur brenda një televizori.
Identifikohen 3 shtetas. Vihen në pranga 2 prej tyre dhe shpallet në kërkim një tjetër, të cilët dyshohet se vepronin në grup, me qëllim kryerjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve jashtë Shqipërisë.
Si rezultat i informacioneve të marra në rrugë operative për një rast trafikimi të armëve të zjarrit, nga disa shtetas nga Shkodra, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3, në bashkëpunim me DVP Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Metoda”.
Në vendin e quajtur “Bulevardi i ri”, në Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, kanë ushtruar kontroll në një kamion që dyshohej se disa shtetas kishin fshehur një armë zjarri për ta trafikuar. Nga kontrolli në brendësi të një televizori, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit me silenciator, të ndarë në pjesë.
Në vijim të operacionit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër u arrestuan shtetasit J.S., 26 vjeç dhe S.M., 20 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R.A., 20 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të trafikojnë një armë zjarri me silenciator, me destinacion Anglinë, nëpërmjet kamionit të një shtetasi i cili nuk kishte dijeni për armën që ndodhej në brendësi të televizorit.
Vijojnë hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve pas dyshohet se kanë trafikuar dhe armë të tjera si dhe për identifikimin e kapjen e të tjerëve të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.