Këneta është kaq e dëshpëruar sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati gjasme të pavarur, që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë, pa dallim. Madje, edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste e ka shkrirë gazit kur ka ardhur njëherë për të luajtur rolin tim. Prandaj, unë nuk e gjykoj hiç, as fare keq aktorin për rolin e ri që ka marrë se aktorët atë punë kanë, me role jetojnë.
Kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama në episodin e radhës të podcast-it “Flasim” shkaktoi reagimin e Florjan Binajt, i cili në rrjetet sociale shkruan:
Aktori më i madh në Shqipëri është Edi Rama, që u merr 140 milionë Euro qytetarëve duke “i bindur” se po bën incenerator pa vënë asnjë tullë! Prestigjator!
Në podcast, Rama shprehu bindjen në fitoren e kandidates socialiste Ogerta Manastirliu në Tiranë:
Eshtë një risi absolute e zgjedhjeve të parakohshme vendore kandidimi i dy grave për Tiranën dhe Vlorën. Dy qytete të dorës së parë për Shqipërinë që do të drejtohen nga dy gra, të cilat kanë një karrierë shumë të ngjashme në një periudhë të caktuar kur kanë drejtuar respektivisht rilindjen e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, flas për Ogerta Manastirliun dhe të Spitalit Rajonal të Vlorës.
Kam parasysh Bruna Mersinin. Ato janë që të dyja fituese të padiskutueshme të garave ku kundërshtarët janë shëmbëlltyra kuptimplotë e disfatës së radhës së ndjesë pastë, Partisë Demokratike.