Opozita denoncoi sot një rast të tjetërsimit të dokumenteve të pronësisë, sipas saj, “me qëllim grabitjen e pronave në bregdetin e jugut të vendit”. Në një dalje për mediat nga Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë, deputeti demokrat, Arbi Agalliu bëri publik Aktin e Pronësisë për një siperfaqe toke në Jalë dhe ku pasardhësve të shtetasit Lilo Mëhilli iu janë dhënë 9 mijë e 100 metra katrorë tokë, më shumë sesa parashikon ligji për ndarjen e tokave bujqësore. Agalliu shtroi pyetjen se përse është bërë kjo?
Sipas ligjeve në fuqi, norma për frymë në ndarjen e tokës bujqësore që përfitohet nga ligji 7501 në Bashkinë Himarë, në fshatin Vuno nuk është më shumë se 3 mijë e 500 metra katrorë për frymë. Në certifikatën familjare të marrjes së pronësisë në vitin 1991 kemi pasur Lilo Mëhillin. Pse pasardhësve të këtij individi i janë dhënë mbi 6 mijë metra katrorë tokë më shumë nga çfarë i takon sipas ligjit?
Gjithashtu, Arbi Agalliu bëri publike për mediat përgjigjen e Agjencisë së Kadastrës lidhu me këtë rast të denoncuar prej tij:
Agjencia Shtetërore e Kadastrës kthen përgjigje zyrtare se: “verifikimi i sasisë së tokës së përfituar, në raport me normën për frymë, si dhe mënyrën e shpërndarjes, nuk bëjnë pjesë në përgjegjësinë e këtij institucioni!”. Pyetja ime është se pse iu kanë dhënë pasardhësve mbi 6 mijë metra katrorë tokë më shumë sesa i takon nga ligji, në një zonë që lakmohet?
Deputeti demokrat i qarkut të Vlorës i bëri thirrje institucioneve përkatëse të marrin masa për këtë rast flagrant. Ndërkaq, pronarët e tokës ende po presin zbardhjen e vendimit të gjykatës së Vlorës, në mënyrë që të bëjnë apelim.