Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 236,000 njerëz humbin jetën çdo vit nga mbytja në det dhe pasojat e saj, ndërsa besohet se numri real është edhe më i lartë. Pothuajse 90% e rasteve të mbytjeve aksidentale ndodhin në vendet në zhvillim ose me zhvillim të mesëm. Faktorët kryesorë të rrezikut për mbytje janë mosha, gjinia dhe qasja në burimet ujore. Mbytja është shkaku kryesor i vdekjeve te fëmijët nën 5 vjeç dhe ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve aksidentale te fëmijët e moshave tjera. Fëmijët më të vegjël zakonisht mbyten në rezervuarë të vegjël artificialë (vaska, pishina), ndërsa fëmijët më të rritur në ujëra të hapura si lumenj, liqene apo dete.
Meshkujt janë më të rrezikuar, me një shkallë vdekshmërie dy herë më të lartë se gratë. Ata më shpesh kërkojnë edhe trajtim spitalor për pasoja serioze nga mbytjet jo fatale. Kjo lidhet me ekspozimin më të madh në ujë dhe sjelljet më të rrezikshme, si notimi jashtë zonave të mbikëqyrura, konsumimi i alkoolit para notit apo vozitjes me barkë. Mësojini fëmijët e vegjël bazat e notit dhe sigurisë në ujë. Planifikoni menaxhimin e përmbytjeve dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm. Zhvilloni strategji kombëtare të sigurisë në ujë për të rritur ndërgjegjësimin.
Para se të hyni në ujë mos pini alkool ose substanca që ndryshojnë vetëdijen. Mos hyni në ujë menjëherë pas ushqimit. Prisni të paktën 2 orë. Nëse nuk dini mirë të notoni, mos hyni vetëm dhe përdorni pajisje shpëtuese. Ndërsa jeni në ujë hyni ngadalë, kontrolloni thellësinë, mos kërceni në ujë me thellësi të panjohur, notoni gjithmonë me dikë dhe brenda zonave të shënuara, mos u largoni shumë nga bregu, notoni paralelisht me të, pushoni nëse lodheni, dilni ose qëndroni në zonë të cekët. Nëse keni vështirësi, qetësohuni, shtrihuni mbi shpinë, ngrini dorën dhe sinjalizoni ndihmë.
Njihuni me rrymat, temperaturën e ujit, gjallesat ujore dhe rreziqet lokale. Nëse ju zë një rrymë, mos u përpiqni të notoni kundër saj. Qëndroni të qetë dhe notoni anash, diagonalisht drejt bregut. Zhytuni gjithmonë me dikë tjetë. Mos e mbani frymën shumë gjatë. Mos hiperventiloni para zhytjes. Jeleku shpëtues është i detyrueshëm. Ai duhet të jetë i madhësisë së duhur dhe i vendosur mirë. Ushtrohuni të mbani veten mbi ujë, të ktheheni nga shpinë në bark dhe të notoni të paktën 25 metra. Shikoni rreth vetes dhe ruani vigjilencën, sidomos kur keni fëmijë në ujë. Mësoni të dalloni dikë që po mbytet, shpesh është një proces i qetë, pa britma dhe pa spërkatje.