Bota

Tragjike/Ndërron jetë papritur në moshën 29-vjeçare basketbollisti i NBA-së!

Basketbolli amerikan është tronditur nga ndarja e papritur nga jeta e lojtarit të Memphis Grizzlies, Brandon Clarke, në moshën 29-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga vetë klubi i NBA-së, i cili publikoi një mesazh prekës për humbjen e basketbollistit kanadez. “Jemi të shkatërruar nga humbja tragjike e Brandon Clarke. Ai ishte një shok skuadre i jashtëzakonshëm dhe një person edhe më i mirë”, thuhet në reagimin e Memphis Grizzlies.

Sipas mediave amerikane, autoritetet po hetojnë vdekjen e tij si një mbidozë të mundshme, ndërsa Departamenti i Zjarrfikësve në Los Angeles reagoi pas një emergjence mjekësore të raportuar të hënën në mbrëmje. Clarke luajti në NBA që prej vitit 2019, pasi u zgjodh në raundin e parë të draftit nga Oklahoma City Thunder dhe më pas u transferua te Memphis Grizzlies, ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij.

Ai u bë një nga lojtarët më të dashur të skuadrës falë energjisë dhe performancave të tij, ndërsa gjatë sezonit debutues u përfshi edhe në ekipin më të mirë të lojtarëve rishtarë në NBA.Karriera e tij u ndikua ndjeshëm vitet e fundit nga dëmtime serioze në tendinën e Akilit dhe  probleme të tjera fizike, që e mbajtën larg parketit për periudha të gjata.