Partizani kreu dje rreth orës 10:30 stërvitjen e radhës në kuadër të derbit të së premtes ndaj Tiranës. Në klubin e kuq nuk është situata më e mirë e mundshme, por si gjithnjë para këtyre ndeshjeve, qetësia mbizotëron në ambientin përreth, por edhe brenda skuadrës. Pas humbjes me Dinamon ka pllakosur një situatë aspak e mirë, plot mërzi e zhgënjim. Kjo është pasuar nga një mbledhje me trajnerin Orges Shehi, i cili nën tonin e tij normal të të folurit nuk i ka kursyer kritikat ndaj ekipit.
Nga ana tjetër, askush nuk e imagjinonte në fillim të sezonit, por ndodhi. Në fund të vitit të shkuar Orges Shehi u nda me gjyq me Tiranën dhe pas kësaj ekzekutoi një kalim të bujshëm te Partizani. Të premten durrsaku do të luajë derbin e parë në anën e kuqe të fushës së “Air Albania”-s. Pas një serie pozitive si trajner i bardhebluve, Shehi do të provojë të thyejë rekordet e tij në anën tjetër të kryeqytetit. Por fillimisht do të duhet të vulosë fitoren e parë në derbi si trajner i të kuqve. E nëse të premten do ta kryente me sukses këtë detyrë, Shehi do të bënte një arritje që të paktën në dy dekadat e fundit e ka bërë vetëm Sulejman Starova. “Bobi” është një nga trajnerët e fundit që i ka drejtuar të dyja ekipet dhe i vetmi, të paktën për sa kohë na ofrojnë statistikat në internet, që e ka fituar derbin nga të dyja anët. Një trajner tjetër që ka drejtuar të dyja ekipet është Ilir Daja, por ky i fundit nuk e ka mposhtur dot Partizanin.