Sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike. Tema e përzgjedhur për këtë vit është “Trashëgimia në Rrezik: Ringjall, Rezisto, Riimagjino”. Kjo temë trajton kërcënimet urgjente ndaj trashëgimisë kulturore dhe natyrore, duke u përqendruar në sfida të tilla si ndryshimi i klimës, konflikti, urbanizimi i shpejtë e digjitalizimi.
Dita në fjalë thekson nevojën për të mbrojtur, restauruar e përshtatur vendet e trashëgimisë që përballen me rreziqe të paparashikuara. Shoqatat dhe fondacionet në mbrojte të trashëgimisë kulturore inkurajojnë veprimin global, përfshirjen e komunitetit dhe zgjidhjet inovative për të siguruar qëndrueshmërinë e vendeve kulturore.
Në të, sugjerojnë përfshirjen në konferenca dhe ekspozita, organizime rreth kësaj teme, të vizitohen monumentet e të promovohet ruajtja e tyre.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve janë organizuar dhe planifikuar një sërë aktivitetesh të drejtorive rajonale të kulturës në vend.
DRTK Korçë në bashkëpunim me DRTK Berat, organizojnë ekspozitën “Korça dhe Berati, një rrëfim i trashëgimisë”.
Përmes detajeve të portave tradicionale dhe dekorimeve të brendshme kjo ekspozitë sjell një dialog mes dy qyteteve me identitet të pasur historik e kulturor, duke nxjerrë në pah mjeshtërinë, estetikën e historinë që ato mbartin.
DRTK Shkodër kremtoi këtë ngjarje me një aktivitet punëtorie qe përfshiu fëmijët dhe që i ndërgjegjëson ata mbi rëndësinë e ruajtjes e të promovimit të vlerave tona kulturore.