Një aksion i gjerë policor i zhvilluar në Stamboll ka vënë në qendër të vëmendjes disa nga figurat më të njohura të showbiz-it turk, mes tyre aktorin Can Yaman dhe aktoren Selen Gorguzel.
Autoritetet kryen kontrolle të papritura në klube nate luksoze dhe një hotel të njohur, duke shoqëruar disa persona për verifikime të mëtejshme.
Operacioni, i cili përfshiu gjithsej shtatë persona në këtë fazë, u zhvillua në lokacione elitare si Bebek Hotel dhe klubi i natës “Klein Phonix”, ku forcat e sigurisë sekuestruan prova të konsideruara të rëndësishme për hetimin.
Burime nga mediat turke bëjnë me dije se aksioni është pjesë e një hetimi më të gjerë që ka nisur më 5 janar.
Deri më tani, hetimet kanë çuar në arrestimin e 19 personave dhe lidhen me dyshime për përdorim dhe nxitje të përdorimit të substancave të ndaluara, si dhe lehtësim të aktiviteteve të paligjshme në ambiente publike të frekuentuara nga VIP-a.
Përveç aktorëve të njohur, raportohet se janë shoqëruar edhe menaxherë dhe pronarë biznesesh të lidhura me këto ambiente.
Të gjithë të shoqëruarit pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa prokuroria po shqyrton provat për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm ligjorë. Deri tani, as Can Yaman dhe as Selen Gorguzel nuk kanë reaguar publikisht për ngjarjen.
Situata mbetet në zhvillim dhe operacioni ka shkaktuar një valë reagimesh në opinionin publik, duke tronditur rëndë showbiz-in turk dhe duke ngritur dyshime për përfshirjen e mundshme të emrave të tjerë të njohur në këtë rrjet të dyshuar të paligjshëm.